Udhëheqësit e ekipeve negociatore në dialogun Kosovë-Serbi, kanë konfirmuar se takimi i radhës i liderëve të dy vendeve, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq do të mbahet në javën e tretë të korrikut në Bruksel.
Ndërsa, shefi i delegacionit serb, Petar Petkoviq, tha se formimi i Asociacionit të Komunave serbe është kusht për vazhdimin e dialogut, njofton RTK.
Në Bruksel u mbajt takimi i parë sivjet i shefave të ekipeve negociuese të dy vendeve, zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun, Miroslav Lajçak, pati takime të ndara me përfaqësuesit e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për të zhvilluar përfundimisht një takim trepalësh.
Lajçak njoftoi në Twitter se gjatë takimit, me bashkëbiseduesit zhvilluan diskutime të gjera dhe të thella një numër elementësh të dialogut – marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, dhe se të gjithë ranë dakord se shumë punë mbetet dhe do të vazhdojë të angazhohet.
Ndërsa, Petar Petkoviq, shefi i delegacionit serb, vlerësoi se ishte një takim shumë i vështirë dhe i tensionuar.
Siç raporton REL (në gjuhën serbe) Petkoviq pretendon se pala e kosovare asnjëherë nuk e përmendi çështjen e të zhdukurve ose formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Për Asociacionin ne u kemi thënë atyre se është kusht i të gjitha kushteve nëse duam të shkojmë më tej. Asociacioni i Komunave Serbe nënkupton realizimin e të gjitha të drejtave të qytetarëve serbë, sepse incidente të shumta janë dëshmi se sa i nevojshëm është formimi i Asociacionit”, tha Petkoviq.
Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, theksoi se të dy palët paraqitën pikëpamjet e tyre në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Kreu i delegacionit të Kosovës konfirmoi se në një takim shumë orësh me Lajçakun të martën, paraqiti një listë të gjitha marrëveshjeve dhe vuri në dukje se ku mungon zbatimi adekuat nga pala serbe.
Ai përmendi marrëveshjen për kontrollin e përbashkët të kufijve, njohjen e diplomave, certifikimin e mallrave të dëmshme, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.
“Të gjitha këto janë marrëveshje, për të cilat ne besojmë se pala serbe nuk i ka përmbushur plotësisht detyrimet e saj”, tha Bislimi në fund të takimit.
Një takim i ri i ekipeve negociuese është paralajmëruar për javën e ardhshme dhe do të mbahet përmes video-lidhjes.
Sipas përfaqësuesve të delegacioneve, në atë takim di bisedohet për përgatitjen e temave që do të jenë në rendin e ditës gjatë takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
Diskutime rreth kësaj post