Nga Dritan Hila
Që Nexhmije Hoxha është personazh që galvanizon shoqërinë edhe pas çerek shekulli nga lënia e skenës politike, kjo është e pritshme. Gruaja e njeriut më të fuqishëm të historisë shqiptare, do të ishte e tillë edhe nëse do të kishte qenë shtëpiake dhe do të fliste për gjellët që hante Enveri. Ndaj çdo prononcim edhe për jetën private apo rozë të saj dhe bashkëshortit, kuptueshëm është historik, ndryshe nga ndonjë intervistë e Çiljetës apo Xhesikës. Pasi kudo e kurdo, edhe jeta private e liderit ndikon thekshëm në personalitetin e tij, rrjedhimisht në fatet e nënshtetasve.
Ishte e pritshme që kjo intervistë të ngjallte xhelozi profesionale, aq më tepër që tregu shqiptar të lejon shumë-shumë të intervistosh Berishën a Ramën, si maja e suksesit. Ishte zhgënjyese që disa sugjerime profesionale dhe gjykimet, të sillen në nivelin e batutat e filmave të realizmit socialist. Ashtu siç nuk ishte habitës fakti që shumë editoriale kundra Hoxhës ishin në nivelin e komentatorëve sportivë të Leskovikut të çuar të komentojnë finalen e kupës së kampionëve. Nuk është vetëm faji i botuesve, pse media shqiptare është në këtë gjendje të telendisur.
Por duke ju kthyer ngjarjes, Nexhmije Hoxha për gjysëm shekulli ka qenë ndër personazhet e rënda të jetës politike. Në të shkuarën e saj, ka qenë bashkëpunëtorja dhe bashkëshortja e një prej lojtarëve të peshave të mëdha të ringut politik, i cili luante (për aq sa e lejonte mundësia), në një terren ku përplaseshin dy blloqe; dhe lufta, pushtimi apo asgjësimi fizik, ishin të ditës. Mjaft të kujtohet Polonia, Hungaria, Çekosllovakia, vrasja e Kenedit, atentatet e De Golit, rrëmbimi i Ado Moros, për të kuptuar se bota e ndarë në blloqe, nuk ishte kjo e sotmja. Si e tillë, ajo ka qenë vëzhguese e dorës së parë, por mbi të gjitha nxënëse e një personazhi tepër serioz në inteligjencën, dhunën, vrasjet, aksionet dhe qëllimet e tij. Si e tillë, nuk hyn në njerëzit që mund ta detyrosh të përgjigjet për pyetje që nuk i ka planifikuar vetë. Kaq gjë e kupton edhe një kursant i gazetarisë në perëndim. Një grua e cila nuk ka pranuar t’i përgjigjet prokurorëve e gjykatësve, duke bërë burgun; e cila nuk kërkon falje, pasi sipas bindjeve të saj nuk ka bërë faj, kjo grua nuk i përgjigjet, madje as e qas në derë çdo idiot parapolitik që do ti bëjë pyetje të tipit Gent Strazimiri. Kështu është historia e njerëzve që luajnë fatet e të tjerëve.
Intervista e Nexhmije Hoxhës për aq sa ajo pranoi dhe aq sa donte të thoshte, është historike. Njerëzit e kalibrit të saj japin atë që duan. Gazetarët vetëm kanë mundësi të mbartin lajmin. Dhe askush nuk merret me mesazherin në botë; askush nuk është marrë me lajmësin në Shqipëri, të paktën deri sa sundonte një ligj serioz si kanuni i cili vriste atë që prekte lajmësin.
Ajo që ishte tronditëse nga pasintervista, nuk kishte lidhje me reagimet e ndjekësve të Hoxhës dhe as të kujt është goditur prej tij, çka janë të kuptueshme. Befasues ishte reagimi i personazheve që mendohet se distanca historike, njohja me historinë e vendit dhe vendeve të botës, shkollimi në perëndim, do t’i kishte thyer lëvozhgën e primitivitetit. Ndër këta veçohet rasti i Ardian Ndrecës. Duke menduar që vjen nga një mjedis katolik, i studiuar dhe jetues në perëndim, me mundësi aksesi në kulturën e Italisë, pritej një mendim më i kualifikuar dhe distancuar. Por ishte i pashembullt vreri i tij ndaj gazetarisë shqiptare si profesion, megjithëse ka qenë kjo gazetari që e ka bërë personazh publik këtu, pavarësisht nivelit të shkrimeve të tij; neveritës fjalori i përdorur kundër gazetares dhe të intervistuarës, që do zilepste çdo hajdut xhepash të dënuar për agjitacion e propagandë; habitëse mungesa e njohurive për kontekset gjeopolitike dhe historike, kur gjykon njerëzit dhe rregjimin, çka e qasnin me një fshatar të viteve 1800 të transplantuar në shekullin e 21-të, që mendon se fshati i tij është bota dhe bajraktari, mbreti i saj. Dëshpëruese në nivel social, kur mendon se në edukatën e tij nuk ka faj komunizmi. Zhgënjyes në nivel personal, kur mendoj që kam qenë ndër përkrahësit e tij në publik dhe privatisht, që të emërohej ambasador në Vatikan. Kam qenë duke i bërë diplomacisë shqiptare një gjëmë.
Në fund të gjithë kësaj, për ata që tashmë e kanë krijuar mendimin për periudhën e komunizmit, dhe kanë vendosur të shohin nga e ardhmja, kjo intervistë dhe reagimet pas saj, pati vlerë edhe për kaq: që të kuptohet se jo çdo deformim yni, është faji i komunizmit, por ndoshta komunizmi ishte kaq i egër edhe për fajin tonë; se gjuha e urrejtjes dhe mungesa e analizës gjakftohtë, e bëjnë këtë shoqëri, terren pjellor për çfarëdolloj aplikacioni të rregjimeve dhe individëve intolerantë ndaj demokracisë.
Diskutime rreth kësaj post