Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, u pyet nga mediat se kur do të jetë Shqipëria anëtare e Bashkimit Evropian.
Varhelyi u përgjigj se gjithçka varet vetëm nga vendi ynë: “Çdo gjë është në vendin e duhur. Kemi bisedime për anëtarësim, kemi agjendën e reformave dhe tani varet se sa shpejt i përmbush kushtet Shqipëria. Ne nuk po punojmë me afate sepse afatet nuk çojnë në realizime, puna në terren çon në realizime. Çështja reale është integrimi real i vendit. Shqipëria do të jetë gati për anëtarësim kur të jetë i integruar ekonomikisht, nga aspekti tregtar, social dhe i investimeve. Sa më shpejt të arrijë në këtë pikë, aq më shpejt do të integrohet në BE”.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Brukseli nuk ka vendosur kurrë një datë për integrimin e një vendi: “Nuk ka pasur datë në historinë e integrimit. Nuk ka ndodhur kurrë, nuk është në natyrën e procesit që të vendoset një datë. Data vendoset vetëm kur përmbushen të gjitha kushtet e brendshme dhe të jashtme. Këtë gjë nuk e parashikon dot askush. Nuk është mënyra se si operon Bashkimi Evropian. Nuk ka data. Data vendoset kur vjen dita dhe dita vjen kur ti ke bërë detyrat dhe kur ata janë gati për të të vendosur notën. Ajo që duhet të shqetësojë qytetarët shqiptarë është a i kemi bërë ne detyrat apo jo”.
Diskutime rreth kësaj post