Në një lidhje direkte me edicionin informativ në Top Channel, ajo shprehet se në fundjavë do ketë një rënie të lehtë të temperaturave me 1 ose 2 gradë celsius, ndërsa të martën tjetër do jetë kulmi i tretë i të nxehtit, ku temperaturat do shkojnë deri në 43 gradë. Pas të enjtes sipas Pores do të ketë një tërheqje të valës së të nxehtit.
“Sot është një ditë tjetër e nxehtë. Në fakt ka një rënie dhe një freskim të lehtë në zonat veriore dhe veriperëndimore, Shkodra, Kukësi, Kopliku, Hasi të cilat gjatë ditës së djeshme kanë regjistruar temperatura 41-42 gradë, sot janë rreth 1 gradë ose një gradë e gjysmë më pak. Mbetet kulmi në qarkun e Elbasanit, mbetet sërish problematik Berati, në Lazarat, Gjirokastër temperaturat do të ngjiten 42-43 gradë.
Fundjava do të sjellë një tërheqje të lehtë, nuk është se ka ndonjë ndryshim kolosal. Kemi 1 gradë rënie të shtunën dhe 1 gradë të dielën, duke bërë që nga 42 ne zbresim në 40 gradë. Parashikohet të kemi riaktivizim të masave ajrore javën tjetër. Jo më kot e kemi theksuar që kjo valë ka tre kreshta, tre kokë, tre kulme, ku parashikohet një kulm tjetër që është i fundit, të jetë ditën e martë javës tjetër, ku termometri në Shqipëri do të ngjitet sërish në 42 gradë.
Pritet një lehtësim i motit pas ditës së enjte javës tjetër, ku do të ketë tërheqje të valës. Është një valë e nxehtë që ka qëndruar dhe do qëndrojë deri në 21 apo 22 ditë me temperatura të larta. Është quajtur me tre koka apo kulme sepse zakonisht valët e të nxehtit kanë një kulm dhe më pas ka një tërheqje. Kjo ka patur tre herë radhazi temperatura ekstremisht të larta, duke sjellë probleme siç e kemi parë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë Europën jugore.
Nuk është e nevojshme paniku për stuhinë të cilën e ka përfshirë Bosnjën dhe Kroacinë. Për momentin Shqipëria nuk është në kushte të favorshme që të presim reshje apo stuhi. Do jetë një fundjavë e nxehtë, një fundjavë e kthjellët dhe të paktën deri në mesin e javës tjetër mbetemi me mot të kthjellët dhe të nxehtë”, është shprehur Lajda Porja.
Diskutime rreth kësaj post