Edi Rama ishte për të ardhur keq. Përtej kërcënimeve boshe kundër ushtruesve të dhunës, përtej gafurrjes për zbatimin e ligjit, sot para shqiptarëve ka dalë një lider i marrë fund.
Le të kuptohemi qartë.
Ky konstatim nuk ka të bëjë aspak me aspektin e tij fizik. Ai nuk merr për bazë dihatjet e gjata që nuk e lejonin të mbaronte normalisht as një fjali të vetme. Ai nuk ka të bëjë me frymë – ngecjen që shkatërronte rritmin “nolian” të frazave të tij. Ai nuk shikon as çehren e prishur, si në ditët e veta më të këqia edhe as shterpësinë për të prodhuar batuta, të këtij aktori që kur është mirë, ka aftësinë për të gajasur gjithëkënd.
Jo, megjithëse shumëkush mund t’i komentojë këto efekte të jashtme si pasqyrë të një bote të brendëshme të trazuar, Edi Rama dukej i mbaruar për tjetër gjë.
Fjalimi i tij i orës 19 00, për protestat e dhunshme në rrugën e kombit, në shumë elemente ngjante me qëndrimet e tjera publike, kur ai ka qenë në pozitë të vështirë. Tek ai gjenden shumë elemente të përbashkët me ditën kur u bënë protestat për armët kimike, me atë kur ra avioni i drogës në Divjakë, me atë kur nga Italia erdhën faktet dhe provat e lidhjeve të Saimit Tahirit me Habilajt.
Në të gjitha këto raste, ai, lideri që i krahason shqiptarët me phallus-a të pa aftë të ngrehen, që shpërndan sarkazëm dhe arrogancë ngado, që disa i quan, kazan e disa tepsi, që kritikëve u bën thirrjen cinike: “shkoni bëni parti dhe pastaj matuni me mua”, ai pra, udhëheqësi i paepur, di të jetë shumë i ‘butë’, i ‘tërhequr’ dhe i ‘kuptueshëm’.
Pikërisht këtë anë të karakterit të tij nxori në pah edhe sot. Atje mes pauzave të gjata dhe frymëzënjeve të shumta, ai u rrek të tregojë se ndoshta nuk është i pagabueshëm. Se shumë nga ata që protestonin nuk kishin mundur të sqaroheshin se do të kishin favore për ta kaluar atë rrugë. Se ai ishte i gatshëm që t’a priste që të hënën kryebashkiakun demokrat të Kuksit.
E sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, ai lideri që nuk pyet e nuk konsultohet për asgjë, që shpall fermane për prishje teatrosh e stadiumesh, që vizaton me dorën e tij qendra qytetesh dhe që fal pa tender e garë qindra miliona euro, tregoi këtë mbremje se është i aftë të bëjë edhe rolin e sakrifikuesit të përvuajtur.
Ai u mundua të shpjegojë se po sakrifikonte mbi imazhin dhe popullaritetin e tij të sotëm, që shqiptarët të kishin një rrugë më të mirë nesër, se po ndërmer refoma me kosto të lartë pesonalisht, për të na lërë pas një atdhe më të mirë kolektivisht.
Natyrisht, kush e njeh mirë Edi Ramën nuk ka asnjë dyshim se kjo taktikë është një manovër e re për të përligjur të njëtin qëllim: zhvatjen e shqiptarëve dhe ndarjen e pasurisë së tyre mes pesë apo gjashtë oligarkë që e mbajnë në pushtet.
Por, e rëndësishme në këtë rast nuk është kjo. E rëndësishme, pas fjalimit të sotëm, është tjetër gjë. Eshtë të kuptohet se para dhe një vështirësie apo presioni sado të vogël, Edi Rama tjetërsohet. Ai e gris menjëherë maskën e liderit autoritar, cinik dhe arrogant, për të veshur atë të dredharakut të përvuajtur.
Pikërisht ky është edhe mësimi që vjen nga porotesta e sotme e disa qindra kuksianëve.
Jo, Edi Rama nuk është mostra e pamposhtshme që po i merr frymën shqiptarëve. Mjaftojnë vetëm pak vetë të dalin në rrugë, mjafton një dëmtim i lehtë i biznesieve që ndan me oligarkët, që ai të na shfaqet në ekrane, duke i’u marrë fryma.
Diskutime rreth kësaj post