Nga Shpëtim Nazarko
Vërdallë dhe pa para në xhep, në rrugët e Gjermanisë, aty nga mesi i vitit ‘91, këmbët, vetvetiu, si gjithë sivëllezërit refugjatë, më çojnë në supermarketet e mëdha alla Teg, Toptan, Citypark, etj.
Para nuk ke në xhep dhe të mbetet kurioziteti që mund të shprehet në një pyetje të vetme :
Si e sigurojnë riqarkullimin e mallrave (ndryshe-mosmbetjen stok), këto supermakete të mëdha, apo si arrijnë t’i shesin gjithë këto gjëra këtu?
Për një njeri që vjen nga tregu i centralizuar i një vendi ish-komunist, pyetja është me vlerë e jo një kuriozitet i thjeshtë. Aty nga viti i fundit i komunizmit qarkullonte një barcaletë. Një ish-shefi të madh komunist, që kishte marrë urdhër nga i pari i vendit të fillonte ndërrimin e pllakës se po shihej shkatërrimi i sistemit, iu desh të përballej me një pyetje sa komike aq edhe tragjike .
Sa të vështirë duhej ta kishte furnizimimin e Nju Jorkut shefi i tregtisë së atij qyteti?
Këtë barcaletë e tregojnë edhe sot në Shqipëri ithtarët apo teoricienët e tregut të lirë, po arsyetimi i tyre mbetet këtu… Kanë ca si turp të tregojnë efektet e këtij tregu të lirë këtu tek ne. Ky tregim i tyre nuk besoj të na mbushë me entuziazëm… mjaft të shohësh Shqipërinë nga cepi në cep apo nga fshati në fshat dhe të kuptosh si është ky lloj tregu për të cilin folën…
Po i kthehem përsëri vitit ’91, apo eksperiencës së refugjatit.
Pas nja një viti, kur tanimë isha në punë, kuptova këtë sekret të vogël… Shumica absolute e mallrave të konsumit, e këtu po përfshij rroba dhe ushqime, nuk i kalonte 50 apo 60 përqindëshin e rrogës ditore të gjermanit. Pra, nëse ai merrte 100 marka në ditë, mallrat që përmenda ishin të blershme brenda ditës.
U bë e qartë për mua me një mendje të varfër ekonomisti, se nga vinte jo vetëm ai ndërrim i shpeshtë i rrobave të tyre, por edhe ajo ndihma që vinte nga kisha apo mbushja e pafund e makinave me rroba apo mallra të tjerë që vinin në Shqipëri, jo vetëm atyre viteve, por edhe tani…
Kush e kuptoi këtë rregull të thjeshtë, që çmimi i mallrave të konsumit nuk duhej ta kalonte 50 apo 60 përqindëshin e ditës së punës së një gjermani apo shqiptari, se ndryshe çdo treg është i destinuar të falimentojë?
Për çudinë time të madhe, këtë rregull të thjeshtë e kuptuan jo ekonomistët e atyre viteve që çirreshin për ekonominë e lirë të tregut apo që tundnin dëftesat e marra andej-këndej deri në Harvard.
Plaku i madh Balzak me siguri do t’i kishte kushtuar një nga ato kryeveprat e tij përgjigjes së pyetjes…
I vetmi që e kuptoi këtë rregull të thjeshtë ishte GABI…
Vetë, që mbetem vetëm një ithtar deri në vdekje i plakut Balzak, i kushtova vetëm një artikull gjysmironik përgjigjes së pyetjes më sipër. Titulli i këtij artikulli ishte
Pse duhet vënë shefi i Gabit ministër Financash në Shqipëri?
Në pikëpamje praktike, natyrisht që artikulli e merrte notën pozitive pa ndonjë mundim të madh. Hidhini një sy tregut të Gabit dhe aty do të shihni të tëra kategoritë njerëzore që blejnë. Të varfër apo të mesëm, apo edhe zyrtarisht të quajtur të pasur, pleq e plaka, të rinj e të reja, zonjëza elegante etj., etj.
Shefi i Gabit e ka fituar këtë betejë me kohë, jo vetëm me ekonomistët e vendit tim, por dhe me vetë biznesmenët e tij të pasur.
E ka fituar edhe me qendrat e mëdha tregtare të Tiranës, ndërtimi i të cilave, që pa u përmendur emrat, besoj kanë shpenzuar për t’i bërë ato rrotull nja një miliard euro.
Mjafton të shikosh shumë prej dyqaneve të këtyre qendrave që konkurrojnë edhe me ato më luksozet në Evropë, ashtu që janë bosh, qëndrojnë të mbyllura, apo thjesht ndërrojnë destinacionin.
Natyrisht, shumë pak njerëz mund të blejnë mallra që kalojnë si çmim jo të ardhurat mesatare ditore, por të shumë ditëve pune.
Nëse supermaketet gjermane do të kryenin një eksperiment të tillë si ky yni, pra t’u shisnin gjermanëve mallra konsumi në çmimin që kalojnë disa herë të ardhurat ditore, ato do të falimentonin menjëherë. Doni një shembull të thjeshtë?
Kam parë vetë në kufirin e Gjermanisë me Luksemburgun një minidramë të tillë. Në Luxemburg nuk kishte taksa dhe sapo kaloje kufirin gjerman, të prisnin menjëherë dhjetë apo pesëmbëdhjetë pika karburanti dhe supermarkete… Polici gjerman nuk të kërkonte pasaportën në kufi, po kontrollonte me kujdes mos kishe marrë më shumë se dy steka cigaresh apo mos kishe fshehur naftë tepër diku në bagazh për ta rishitur në Gjermani…
Në dhjetë a pesëmbëdhjetë kilometra rrotull këtij kufiri mund të shihje pika karburanti gjermane të shkatërruara si te ne në vitin ‘97 apo të mbyllura plotësisht. Dhe nuk kishte ndodhur asnjë luftë…
Drama është kudo njëlloj nëse thyen rregullat e tregut. Kjo është e thjeshtë dhe nuk ka nevojë ta them unë që nuk kam asnjë përvojë ekonomisti, po si t’ia bëjmë?
T’u marrim mend komunistëve të vjetër për të ribërë treg të centralizuar? Atë e pamë se ku na çoi e nuk na duhet më kurrë. T’u marrim mend atyre që projektuan terapinë e shock-ut? Edhe ata i pamë dhe këtyre mua më mjafton t’u tregoj Gabin për të mos i marrë më kurrë në konsideratë.
Këto pyetje më kaplojnë shpesh kur pas sezonit të verës kaloj në autostradën e kombit për të shkuar në Kosovë. Qarkullojnë vetëm pak makina dhe shpesh shumë pak…
Natyrisht që, ai që e projektoi këtë rrugë duhej të kishte llogaritur hekurudhën në vend të dy korsive të tjera shtesë. Qymyret e Kosovës apo tregu bujqësor i tyre, apo thjesht plazhistët, mund të kishin trenin. Po dhe ne ndoshta na duhej hekurudha për kosovarët, për të njëjtat arsye. Plaku i mençur Arbën Xhaferri rrotullohet përmbys ndoshta në varr duke folur ende për Komonuelthin ekonomik…
Po kjo është temë tjetër. Mua më duhet të kaloj në Kukës, i cili është qyteti më i varfër i Shqipërisë. Thua ngaqë nuk e ka respektuar ekonominë e lirë të tregut apo nuk prodhon gjë? Po ky mendim më ikën më shpejt sesa më vjen. Edhe Fieri që sjell një shumë të madhe parash në buxhet është po aq i varfër sa dhe Kukësi.
Kukësi po ikën i gjithi… Vjet e parvjet e pamë më shumë këtë punë. Më rrotullohen të gjitha nëpër mend… Gjermania ku duhet të venë kuksianët, ashtu si unë në vitin ‘91. Po ajo është gjithnjë e më larg.
Ndërkaq, në treg ka mbetur Gabi që i shikon të gjithë me nënqeshjen e fitimtarit…
Më vjen t’i lutem kryeministrit… Kanë mbetur vetëm nja njëmijë familje nëpër fshatrat e Kukësit. Kreditojini të gjitha me nga dyqind qengja. Në krye të një viti merrjuani këta qengja të shndërruar në dele. Ja, ju kanë kthyer dhjetëfish interesin bankar me delet që ju kthyen. Pastaj faljuani përfundimisht fshatarëve qengjat e rinj…
Në krye të pesë vjetëve Kukësi ka blegtorinë e tij me miliona krerë. Ka baxhot e djathit të mrekullueshëm natyror dhe lëkurët që i bëjnë këpucët tona më të lira se ato të gjermanit.
Po në Kukës mund të hidhni dhe nja ca para për të mbushur me peshk atë liqen madhështor të krijuar nga hidrocentrali.
Jepuni shumë pak para fshatarëve për ta ripyllëzuar vendin dhe sigurojuni kontrata që do t’ua blejë vetë shteti lëndën drusore, siç bën suedezi apo austriaku.
Dhe po ta doni pak më shumë Kukësin, bëni dhe gara kombëtare a ndërkombëtare kanotazhi në atë liqen të mrekullueshëm dhe të tëra do venë mirë.
Kukësi i varfër i dikurshëm i dimëronte bagëtitë e veta në Lushnjën ku jam rritur. Sot mund t’ua çojë barin që duhet me makinë bashkëfshatari i tij, të cilin tranzicioni e degdisi në fushat e kënetës së Tërbufit, ku dimëronte gjyshi bagëtitë…
Mund të shkruajmë shumë për këtë temë… Po thelbi është i thjeshtë. Nëse të vjetrit tanë punuan pafund në një treg të centralizuar dhe prapë nuk morën gjë në pleqërinë e tyre, të tjerët duhet të mendojnë ca më shumë për të mos rënë ende viktimë e demagogëve që bredhin poshtë e lart duke treguar tregun e lirë në dispenca të mjera…
Ndryshe do të na vështrojë duke nënqeshur Gabi, sado të marrim masa për ta përzënë në periferi… Ai do t’i mundë në të gjitha rastet qendrat tona të mëdha e të ndritshme, sido t’i zbukurojmë ato. Do t’i mundë, sado ta përzëmë nga rrugët apo rrugicat… në emër të qendrave të mëdha. Do t’i mundë, sepse vetëm ai zbaton rregullën e thjeshtë… Asnjë treg konsumi nuk mund të mbijetojë nëse çmimet e tij kalojnë 50 a 60 përqind të të ardhurave ditore…
Në momentet e dëshpërimit të madh më kujtohet një diskutim në një nga televizionet lindore ku flitej për Bullgarinë që po përjetonte nga vitet ‘90 të njëjtën eksperiencë si ne. Një poet që po dëgjonte pjesëmarrësit akademikë kroi mjekrën e tij të madhe dhe tha:
Bullgaria do të mbijetojë. Dhe e dini pse? Më më fund fshatari do t’i thotë të birit: Çohu të rrëmbejmë kazmën e të vemë të punojmë, se këta janë të gjithë të çmendur…(Konica.al)
Diskutime rreth kësaj post