Dikur në këto lagje të Durrësit, këpucarët zinin një vend të rëndësishëm, mjeshtrit e dikurshëm, zanatçinjtë e vjetër shihnin kohë më parë “lulëzimin” e punës së tyre.
Por sot në qytet janë të paktë ata kanë “mbijetuar” dhe një ndër to është Kujtim Uruçi.
Prej më se 30 vitesh, Kujtimi i kalon ditët në dyqanin e tij të vogël të riparimit të këpucëve, me çekiçin gjithnjë në dorë dhe i rrethuar nga veglat e tjera të punës.
“Familjen e mbaj me shpatullat e mia, me këtë çekiç. Kjo është një punë që dhe më shton jetën, por edhe mbaj familjen. Madje duhet t’ia bëj edhe më shumë hyzmetin se kaq, se ku të shkoj unë? Në këtë moshë që jam s’më merr njeri në punë”, thotë Kujtim Uruçi, këpucar.
Megjithëse i është përkushtuar gjithë jetën, nuk ka mundur të nxjerrë të ardhura të mjaftueshme.
Kur pyetet mbi këtë çështje, Kujtimi sqaron se nuk mund të bëhesh i pasur, duke punuar me dinjitet.
“Si po vjen kjo koha tani është bërë ta lëmë fare. Puna jonë ka rënë komplet. Të gjithë zanatçinjtë po zhduken”, shprehet ai.
Pamundësia ekonomike nuk është faktori i vetëm. Këpucari liston një sërë arsyesh se përse ky zanat po shkon drejt zhdukjes.
“Po t’i bësh pazar 5 mijë lekë a 10 mijë lekë për një palë gjysma, ai thotë shkoj i blej te gabi. Riparimet kanë rënë komplet, po të mos ishte gabi nuk do kishim probleme, se nuk do kishte çmime të tjera, njerëzit donin apo s’donin do vinin”, thotë këpucari.
Pengu më i madh është pamundësia për të lënë trashëgimtarë dhe mungesa e interesit nga të rinjtë.
“Unë sot jam 64 vjeç. Sa të kem fuqi do punoj, por me brezin e ri, do vijë dita që zanati do zhduket. Unë nuk shoh një çun të ri 30 vjeç që të jetë këpucar, janë të gjithë mbi 50 vjeç”, shprehet ai.
Me duart që i hanë për punë, Kujtimi vetëm shpreson, se ky nuk do të jetë thjesht një zanat më tepër i së kaluarës, por do të punohet, që të jetë edhe e ardhmja për brezat që do vijnë.
Diskutime rreth kësaj post