Vendimi i marrë nga Këshilli i Atlantikut Verior, që në territorin e Shqipërisë të ngrihet baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, është pritur në vend me kundërthënie të shumta.
Kryeministri Rama përmes një statusi në ‘Facebook’ njoftoi plot krenari se “NATO do të investojë më shumë se 50 milionë Euro vetëm për pjesën e parë të projektit për bazën ajrore të Kuҫovës”. Mediat pranë tij e quajtën si një fitore për sigurinë kombëtare dhe si një sukses të qeverisjes së rilindjes. Pas këtij entusiazmi fshihej edhe një ide që përkon prej vitesh në mendjen e politikanëve shqiptarë: cilido lider që nënshkruan një kontratë të tillë, rrit garancitë për jetëgjatësinë e tij në pushtet.
Ndoshta nga kjo paranojë është kapluar edhe opozita, e cila ndërkohë flet për gjithçka, por pothuajse ka heshtur për këtë vendim të Aleancës Atlantike me sponsorizim amerikan. Ajo ka nxjerrë në skenë një personazh të dorës së dytë, Tritan Shehun, i cili ka theksuar se është PD ajo që ka çelur dhe kurorëzuar rrugën e Shqipërisë drejt NATO-s.
Në opozitë e dinë mirë se kjo ka qenë një manovër e qeverisë Rama. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e ka bërë publike se gjatë një vizite në Uashington i ka bërë kërkesë Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, për një prani ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Xhaçka atëherë shpjegoi në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, edhe argumentat e saj pse vendi ynë është më i përshtatshmi në Ballkan për projektin: Ato përmblidheshin tek rreziku i rrijes së ndikimit rus dhe ai i rritjes së ekstremizmit fetar.
Pra, parë në këtë këndvështrim, duket sikur qeveria ka arritur një sukses, sikur ajo ka marë një çertifikatë sigurie nga ShBA dhe se kjo është një provë për mbështetjen ndërkombëtare që gëzon.
Në fakt ky lloi interpretimi është një thikë me dy presa. Sepse histroria na tregon për mjaft raste si pro këtij pohimi po ashtu edhe për krejt të kundërtën e tij. Ka vende ku ka shkelur çizmja e ushtarëve amerikanë, ku ky fakt ka shërbyer për të majtur në këmbë regjime autokratike në emër të logjikës së ‘stabilitetit në dëm të demokracisë”. Por gjithashtu ka vende ku liderë atoritarë dhe nxitës konflikti kanë dalë nga loja, po në emër të këtij stabiliteti.
Por, përpara se të ngrihet pyetja se cili politikan përfiton personalisht nga kjo gjë, duhet bërë një tjetër: a përfitojnë shqiptarët?
Dhe këtu, pavarësisht entusiamit dhe titujve bombastikë të mediave, ka vend për të qenë skeptikë.
Vendosja e bazës 50 milionëshe, përpos ndonjë përfitimi të popullsisë lokale nuk e ndihmon aspak sigurinë kombëtare të vendit. Duke qenë anëtarë të Aleancës Atlantike që prej vitit 2008, ne përfitojmë nga i famshmi artikulli 4 që na bën aleatë me të gjithë vendet, nëse territori ynë cënohet. Prandaj në këtë kuptim një bazë më shumë nuk përbën asnjë plus.
Edhe ideja e propaganduar se duke qenë prezent në tokën tonë, “Vëllai i Madh” do të jetë më i kujdesshëm për demokracinë e brendëshme, reformën në drejtësi, apo zhvillimin demokratik, është një mit. Mjafton të përmendësh se deri në tani amerikanët kanë pasur bazën më të madhe në Ballkan, Bondstill-in në Kosovë dhe ky vend ka shkuar keq e më keq, në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe me mbikqyrjen e proceseve nga ndërkombëtarët.
Prandaj, për ngritjen e bazës së Kuçovës ka po aq arsye për t’u gëzuar sa mund të kishte për të protestuar. Pjesa tjetër është vetëm zhurmë politike.
Diskutime rreth kësaj post