Qemal Sela, 26 vjeç, ekzekutoi mesditën e së enjtes me kallashnikov dy prindërit e tij.
I riu, emigrant në Angli prej shumë vitesh, ishte kthyer në Peshkopi pranë familjes mbrëmjen e djeshme. Familja e tij ka në pronësi hotelin “Sela”, që ndodhet në zonën e llixhave, pranë Peshkopisë. Pushuesit aty dhe banorët e zonës, pak pas orës 12:00 dëgjuan breshërinë e armës.
Më pas, 26-vjeçari me armë në dorë ka dalë në derën e hotelit për t’u larguar, por aty rastësisht ka kaluar një automjet i forcave të policisë që ishte drejtuar për në poligonin e qitjes.
Policët i kanë kërkuar që të ndalojë dhe i kanë marrë edhe armën me të cilën kreu vrasjen. Në vendin e ngjarjes janë gjetur të gjitha shenjat që vërtetojnë se Qemal Sela vrau në vend babanë e tij, Flamur Sela, 55 vjeç dhe nënën e tij, Zeqimete Sela, 50 vjeç.
Policia nuk jep detaje për shkaqet e kësaj vrasjeje, por ata që e njohin familjen dyshojnë se vrasja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve për pronësinë e hotelit privat që administrohej nga babai dhe në të cilin punonte e gjithë familja, vëllai dhe motra e viktimës.
Kjo e fundit ka parë të gjithë ngjarjen dhe është dëshmitarja kryesore. Ajo është dërguar në spital në gjendje shoku psikologjik dhe pritet që të merret më vonë në pyetje.
Diskutime rreth kësaj post