Kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi ka shpërthyer dje në akuza dhe sulme të forta në adresë të pedagogut Mark Marku. Ky i fundit njoftoi ditën e djeshme dorëheqjen nga mandati i deputetit të Partisë Demokratike, vendimi ky që ka shkaktuar reagime të shumta nga figura politike dhe jo vetëm. Përmes një statusi në rrjetet sociale kryeredaktori i “RD” u shpreh se nuk e shqetëson ikja e Markut, pasi sipas tij, ai është një qaraman që nuk i duhet askujt. Madje, zoti Kasmi shkoi deri atje sa e cilësoi profesor Markun një dështak që ka frikë nga sfidat dhe që iku nga PD-ja me turp.
“Qaramanët nuk i duhen askujt! Ajo që duhet kuptuar është se një regjim nuk luftohet me qaramanë që katapultohen nga askundi. Do burra e gra të vendosur që nuk ikin me bishtin ndër shalë nga një betejë, por njerëz që marrin përsipër sakrifica. Sa kohë nuk kuptohet kjo, atëherë rruga është pa krye dhe kostot i paguajmë të gjithë”, shkruan Kasmi.
Nga ana tjetër edhe deputeti i zgjedhur i PD, Tritan Shehu komentoi largimin e Mark Markut. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive zoti Shehu theksoi se dorëheqja e Markut ishte vendim personal dhe se ndryshe nga ai, ai shtoi se nuk sheh asnjë shkërmoqje të PD-së.
“Mendoj se PD-ja do të dijë të dalë dhe të bëjë ndryshimet që i duhen Shqipërisë. Unë nuk shoh shkërmoqje, shoh mobilizimin e të gjitha resurseve të Partisë Demokratike e kapitaleve të saj. Nuk e komentoj këtë gjë që e bën një njeri kur mendon se duhet të japë dorëheqjen nga diçka. Nuk dua të bëj asnjë analizë. Vendimet janë personale, në demokraci ka vend për to”, nënvizoi Shehu.
Diskutime rreth kësaj post