Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi gjatë një interviste deklaroi se BE ka kohë deri më 18 korrik për të vendosur për integrimin e Shqipërisë.
Intervista:
Mësohet se Parlamenti i Maqedonisë së Veriut mund të miratojë propozimin francez javën që vjen. Çfarë do të thotë kjo për ne? Çfarë pritet të ndodhë?
Zef Mazi: Bullgaria e hoqi veton para një jave, por vendosi disa kërkesa në formën e kushteve që duhen plotësuar nga Maqedonia e Veriut. Propozimi francez duket se ka ofruar formulime të tilla që pala maqedonase po i analizon e konsulton. Shpresohet se do të konsiderohet se propozimi zgjidh merakun si të Maqedonisë të Veriut ashtu edhe të Bullgarisë. Ky do të ishte një lajm i mirë. Pas dy vitesh lëmshi i problemeve të identitetin duket se po hyn në rrugë të mbarë zgjidhje. Ky miratim nuk duhet të përbëjë problem më tej për BE-në që të thërresë Konferencën e Pare Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kështu do të marrë fund edhe dëmi kolateral që ka pësuar vendi ynë deri tani.
Me konkretisht, çfarë pengese, apo çfarë procedure ndiqet në situatën aktuale nëse merret ky vendim i Parlamentit i Maqedonisë së Veriut? Si e shihni nga pozicioni juaj si kryenegociaor?
Zef Mazi: Pas heqjes të vetos bullgare dhe pas miratimit qeveritar dhe parlamentar, shpresohet javën që vjen, nga Maqedonia e Veriut, Konferenca e Parë Ndërqeveritare mund të mbahet në çdo kohë. Nuk do ketë më pengesë. Për të qene krejt acik, ajo që duhet pas atij miratimi maqedonas është një vendim i COREPER II (Këshilli i Ambasasdorëve Kryesorë të vendeve të BE-së në Bruksel) dhe pas tij vendimi i Këshillit Evropian.Në rastin e Këshillit, nuk duhet domosdoshmërisht që të jetë GAC – Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme (të Ministrave të Evropës). Çdo format i Këshillit që mblidhet më parë mund t’i vendosë të dy dosjet, të Deklaratës Hapëse dhe Kuadrit Negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në rendin e ditës për t’u miratuar për debat. Që të jem edhe më i qartë e thjeshtë: COREPER-i plus procedurë me shkrim mundet që të marrin çdo vendim të Këshillit. COREPER-i mundet të thirret në çdo kohë, edhe brenda një kohe fare të shkurtër, për diçka të tillë. Kjo nuk duhet as të jetë as të konsiderohet problem.
Ka pasur mendime për nevojën e reformimit të BE-së, pastaj të ecet me zgjerimin. Është kjo pengesë, nëse do ngulet këmbë në këtë pikë?
Zef Mazi: Kjo është çështje që I takon vendeve anëtare të BE-së ta diskutojnë dhe të dalin me qëndrime zyrtare si Union, të 27 vendet, me konsensus. Meqë më pyete, unë mendoj se zgjerimi dhe reforma e BE-së janë dy procese që, normalisht, duhet të ecin paralel, jo si me radhë, njëra pas tjetrës, ku njëra të marrë peng, të pengojë tjetrën –së pari reformimi dhe së dyti zgjerimi. BE është punë, është proces që vijon prej 70 vitesh. Sipas meje, të presësh për reformimin do të thotë të harrohet zgjerimi, të mos ketë zgjerim. Zgjerimi nuk është çështje me sot me nesër. Ai është një punë mjaft serioze, voluminoze, shumë intensive, e vështirë, e komplikuar për 8-10 vitet e ardhshme. Kështu mendoj edhe për aspektin e aftësive absorbuese të BE-së. Rritja e tyre mundet të vijojë në paralel me procesin e zgjerimit. Shpresoj të mos jem krejt gabim.
Kur mendoni se do të mund të mbahet kjo Konferencë?
Zef Mazi: Duhet pyetur BE-ia, ose më konkretisht, Presidenca Çeke e këtij 6-mujori. Ajo duhet të vendosë në rend dite. Sipas planit të muajit korrik që unë kam parë, COREPER-i do të mblidhet më 13 korrik; më 14 dhe 15 korrik do ketë mbledhje informale të GAC – Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme. Këshilli i Punëve të Jashtme do mblidhet më 18 korrik. Midis sot dhe 18 korrikut ka kohë të mjaftueshme për të vendosur në rendin e ditës, për të thirrur COREPER-in dhe për të marrë vendimin për mbajtjen e Konferencës po Brenda këtij 10 ditori. Kjo do të ndreqte një gabim strategjik të BE-së. Ajo do të mbyllte një padrejtësi jo të vogël ndaj Shqipërisë që i ka plotësuar me kohë të gjithë kërkesat e BE-së. Ajo do të jepte edhe mesazhin politik konkret, me vepra, atë që populli dhe vendi ynë pret prej kaq kohësh, se procesi i zgjerimit vazhdon pas një ngecje prej me shumë se dy vitesh.
Shqipëria është e gatshme për hapin tjetër, të ulet në tryezën e Konferencës të Parë në çdo kohë që do e thërresë BE-ja. Kjo do i bëjë shumë mire vendit tonë, vendeve tona, dhe vetë BE-së! BE-ja do të jetë më e fortë, më e bashkuar dhe më e plotë! Do të rivendoset kredibiliteti që ka qenë në balance prej disa kohësh.
Diskutime rreth kësaj post