Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur sot për një anim të BE-së nga Serbia, lidhur me çështjen e Kosovës.
Për të arsyetuar këtë Haradinaj përmendi edhe rastin e fundit, ku kryeministrja serbe Ana Brnabiq i dërgoi letër kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke kërkuar që të rishikojnë njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.
Haradinaj, në një intervistë për “RTV21”, deklaroi se ndihen të ofenduar nga letra e kryeministres serbe dhe mos veprimi i Evropës, pasi sipas tij nuk pati as edhe një deklaratë nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian për këtë çështje.
“Ne na thuhet mos veproni, ndërsa nuk po disiplinohet Serbia”, deklaroi Haradinaj, duke shtuar se as Federica Mogherini, as Johannes Hahn, as Jean Claude Juncker, as Donald Tusk e as Cecilia Malmstrom nuk janë lajmëruar për t’i thënë Serbisë se ajo letër nuk është në frymën e stabilizimit të Ballkanit.
“Ku është Evropa, ku janë ata që nuk reagojnë ndaj Serbisë”, ka pyetur Haradinaj.
Haradinaj shtoi se kur ne aktivizohemi për të mbrojtur sigurinë tonë, udhëheqësit e BE-së aktivizohen sikur të ishin në Beograd e jo në Bruksel.
“Ka shkuar koha kur ne kemi dëgjuar secilin çka na thotë. E vetmja mënyrë e përmbylljes së paqes Kosovë – Serbi, e vetmja mënyrë është pranimi i të drejtës së Kosovës”, ka thënë kryeministri.
Diskutime rreth kësaj post