Një nga vendimet që miratoi sot qeveria shqiptare, ka të bëjë me ndalimin e përdorimit të fondit të veçantë për vitin buxhetor, për veprimtari social kulturore dhe shpërblime punonjësish.
Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme tha se qeveria nuk ka detyruar asnjë punonjës të japë para me detyrim për familjet në nevojë nga tërmeti, por nga ana tjetër u shpreh se nuk do të ketë fond nga institucionet buxhetore apo jo buxhetore për shpërblime e darka e valle.
Deklarata e tij e plotë:
“Edhe diçka që lidhet me vendimin që do kalojmë, një ndryshim në vendimin nr. 929 për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë të ndryshuar. Është një vendim që ndalon rreptësisht përdorimin e fondit të veçantë për vitin buxhetor për veprimtari social kulturore dhe shpërblime punonjësish në institucione për Vitin e Ri, ato që bëhen zakonisht. Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhurim, kryetarë bashkish, drejtues institucionesh, punonjës. Refuzoj shpifjen tjetër që ne kemi detyruar gjithë punonjësit të japin lekë nga rroga se s’kemi lekë. Kjo është e pavërtetë. Asgjë nuk është bërë në mënyrë detyruese. Të gjithë janë ftuar të japin kontribut vullnetar. Ne vetë i dedikuam rrogën e nëntorit. Askush nuk duhet të dedikojë fond nga institucione buxhetore apo jo buxhetore, nga institucione publike të krijuar me ligj të posaçëm, nga institucione të qeverisjes vendore, njësi të fondeve speciale, ndërmarrje e shoqëri tregtare me kapital mbi 50% shtetëror në varësi të institucioneve qendrore e vendore për Vitin e Ri, për darka e për valle, përkundrazi duhet të organizoheni të gjithë që gjitha institucionet të ndajnë një pjesë të kohës, të festave me njerëzit që janë atje, të shkojnë, t’i vizitojnë, të çojnë dhurata për Vitin e Ri për fëmijët”-tha kryeministri Rama.
Diskutime rreth kësaj post