Në një deklaratë për mediat deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se tarifa që pikat e basteve do të paguajnë për mirëmbajtjen me hyrjen në fuqi të ligjit nuk do t’i shkojë buxhetit, por kompanisë së vëllait të kryeministrit.
Sipas saj ligji ul taksat për bixhozin nga 25 për qind që ishte në 2013-ën, në 15 për qind.
DEKLARATA E NËNKRYETARES SË KOMISIONIT TË EKONOMISË, JORIDA TABAKU
Katërfishimi i pikave të basteve në Shqipëri nuk është thjesht një marrëzi e Edi Ramës, por është një plan korruptiv i mirëmenduar për t’i dhënë të vëllait, Olsi Rama, miliona euro fitime nëpërmjet konçesionit të mbikqyrjes së lojrave të fatit.
Në shkelje të çdo ligji, kontrata e konçesionit nuk është bërë asnjëherë publike dhe Ministria e Financave vazhdon të fshehë sesa do ta rëndojë buxhetin ulja e taksave për bixhozin.
Ajo që dihet deri tani është se me ligjin e vitit 2015, Edi Rama detyron pikat e basteve të bëjnë pagesën e mirëmbajtjes së sistemit jo në shtet, por tek kompania konçesionare.
Kjo do të thotë se sa më shumë pika bastesh të operojnë në Shqipëri, aq më i madh është fitimi i kompanisë konçesionare që, zyrtarisht, operon në emër të ortakut të vëllait të kryeministrit. Kjo është arsyeja pse në treg, në vitin 2013 ishin 928 pika bastesh dhe 4 vjet pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, pikat e basteve janë katerfishuar, duke numëruar 4230 pika bastesh.
Edi Rama që, dikur përbetohej për mbylljen e pikave të basteve dhe mashtronte shqiptarët se ishte kundër bixhozit, e ka përdorur pushtetin për t’i dhënë të vëllait monopolin e tregut të bixhozit.
Nga njëra anë ligji përcakton se asnjë qindarkë nga tarifa e mirëmbajtjes së pikave të basteve nuk shkon në buxhetin e shtetit dhe nuk përdoret për interes publik, por mbush me miliona euro llogarinë e vëllait të kryeministrit.
Nga ana tjetër, ligji i jep Olsi Ramës monopolin e mbikqyrjes dhe kontrollit të tregut të bixhozit, duke e dhënë me konçesion shërbimin tek një kompani e vetme, e cila, sipas ligjit korruptiv të vitit 2015 do ta ketë këtë të drejtë për 30 vjet.
Ky është momenti i duhur për të sjellë në vëmendje se me ligjin e 2015-ës për llojrat e fatit, Edi Rama jo vetëm nuk i largoi pikat e bixhozit nga qytetet dhe nga shkollat, por u uli atyre taksat në mënyrë të ndjeshme.
Kur ligji të hyjë në fuqi në 1 janar 2019, tatimi mbi fitimin e biznesit të bixhozit nuk do të jetë më 25 përqind, por gati është përgjysmuar, në 15 përqind.
Edi Rama po e shtyn prej 3 vjetësh hyrjen në fuqi të zbatimit të ligjit për t’i dhënë mundësi bixhozit dhe pikave të basteve të zgjerohen dhe, në këtë mënyrë, kompanisë konçesionare të të vëllait, t’i shtohet fitimi.
Partia Demokratike është e vendosur të anullojë çdo ligj selektiv, çdo konçesion që është monopol dhe çdo favorizim nga ata që sot qeverisin me krimin e organizuar dhe po pastrojnë paratë në ekonomi.
Rishikimi i ligjit antimafia do të sigurojë që çdo qindarkë e krimit të organizuar dhe korrupsionit të kthehet në ekonomi.
Diskutime rreth kësaj post