Përgjigjia e kryeministrit Rama ndaj deklaratës së Ilir Metës nuk vonoi.
E nisur si një vlerësim për përpjekjen e bashkëkryetarit të koalicionit për të kërkuar një zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike, Edi Rama shprehet i gatshëm për çdo zgjidhje që i lehtëson opozitës rrugën për t’u kthyer në Kuvend për të votuar vettingun, për të garantuar së bashku që zgjedhjet e 18 qershorit të jenë më të lirat e më të ndershmet të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.
Por duke kujtuar ato që i quan reforma për të bërë shtet, Edi Rama i kujtoi Ilir Metës përse janë votuar 4 vjet më parë.
“As do të kthehemi mbrapa, as do të ndalemi në rrugën që na ka përcaktuar mandati i popullit, pse një pakicë ka frikë nga vettingu dhe nga gjykimi i popullit në zgjedhje”, tha Rama në Facebook.
Kryeministri u shpreh i gatshëm për të diskutuar menjëherë me Partinë Demokratike, qoftë edhe në çadër, duke theksuar se dialogu ka qenë dhe mbetet zgjedhja e tij e parë. Për dialog foli edhe bashkëkryetari i koalicionit, Ilir Meta, i cili përmendi për herë të parë nevojën e një qeverie besimi.
“Vendi në këto momente ka nevojë në mënyrë të veçantë për një qeveri të besimit për zgjedhje të gjithëpranuara nga të gjithë, e cila do të garantojë mospërfshirjen e administratës publike në zgjedhje dhe në veçanti të Policisë së Shtetit, garantimin e një lufte të ashpër dhe pa asnjë kompromis ndaj fenomenit të drogës dhe çdo përpjekjeje për financime kriminale dhe të paligjshme të zgjedhjeve, si edhe garantimin dhe realizimin e plotë, të thellë dhe transparent të procesit të dekriminalizimit”, tha një ditë më parë Meta.
Por kryeministri Rama tha se është i hapur për çdo kërkesë apo zgjidhje që nuk cënon Kushtetutën dhe nuk bie ndesh me standardet demokratike.
“Kushtetuta jonë është shumë e qartë, zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor. Kushtetuta është shumë e qartë, qeveria është vullnet i shumicës. Nëse biem të gjithë dakord me Kushtetutën, unë jam i bindur se mund të biem dakord për gjithçka tjetër”, theksoi Rama.
Referenca tek Kushtetuta e kryeministrit do të thotë se ai nuk pranon shtyrjen e zgjedhjeve dhe as qeverinë teknike të propozuar nga opozita.
Diskutime rreth kësaj post