Ish-kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka publikuar një tjetër dokument për aferën e inceneratorëve duke akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj si rrënjën e inceneratorit korruptiv.
Kryemadhi shkruan në “Facebook” se 1 firmë për inceneratorin e Tiranës është baras me 91 milionë euro të qytetarëve të vendit. Sipas saj, revolucioni antikorrupsion do t’i zhdukë përgjithmonë këto firma zyrtarësh publikë me vlera të frikshme, për koncesione fiktive, që i ngjajnë skemave mafioze më të sofistikuara.
“Sa të peshon dora mor qerrata, 1 firmë për inceneratorin e Tiranës= 91 milionë Euro të qytetarëve të vendit. Erion Veliaj është rrënja e inceneratorit korruptiv të Tiranës. Firma e paligjshme e tij ka mundësuar miratimin e koncesionit korruptiv, i cili ka lidhur taksat e qytetarëve të Tiranës deri në vitin 2047!
Këtë vlerë “të artë” që ka pasur firma e Veliaj, e tregon më së miri, ministri i Financave në shkresën e radhës për procedurën koncesionare: “Referuar shkresës nr. 8275/1 prot., datë 27.03.2017, me anën e së cilës Kryetari i Bashkisë Tiranë është shprehur parimisht dakord për rolin e kësaj Bashkie referuar studimit të fizibilitetit, shprehemi pa komente për sa kohë që financuesi dhe përfituesi kryesor i projektit është Bashkia Tiranë.”
Revolucioni Antikorrupsion do t’i zhdukë përgjithmonë këto firma zyrtarësh publikë me vlera të frikshme, për koncesione fiktive, që i ngjajnë skemave mafioze më të sofistikuara.“-shprehet Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post