Ministri i Punëve të Jashtme të Japonisë, Toshimitsu Motegi, nga e diela do të realizojë vizitë zyrtare në Turqi dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme. Motegi tha se do të vizitojë Turqinë, Egjiptin, Iranin, Izraelin, Jordaninë, Palestinën dhe Katarin nga 15-24 gusht, ndërsa në agjendë janë siguria rajonale dhe reagimi ndaj pandemisë së koronavirusit.
“Paqja dhe stabiliteti i rajonit të Lindjes së Mesme është jashtëzakonisht i rëndësishëm për bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë Japoninë”, – tha ai në një konferencë për media të mbajtur në kryeqytetin Tokio, e cila u transmetua gjithashtu në internet.
“Gjatë kësaj vizite, unë do të nënvizoj edhe një herë angazhimin e Japonisë në Lindjen e Mesme me kontributin tonë të gjatë në paqen dhe prosperitetin e rajonit, si dhe me krijimin e marrëdhënie të forta“, – tha Motegi.
Ai shtoi se do të ketë një “shkëmbim të sinqertë” të opinioneve mbi situatën rajonale dhe “do të punojë ngushtë me vendet për të promovuar stabilitetin e rajonit.”
Turqia dhe Japonia janë aleatë të ngushtë dhe gëzojnë lidhje të forta dypalëshe. Miqësia daton që në periudhën osmane. Marrëdhëniet diplomatike filluan në vitin 1924 dhe misioni i parë turk në Japoni u krijua në vitin 1925. Marrëdhëniet politike u përmirësuan në nivelin e partneritetit strategjik në vitin 2013.
Diskutime rreth kësaj post