Maqedoninë e Veriut e pret një dimër i vështirë për shkak të krizës energjetike. Ekspertët vlerësojnë se rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë elektrike do të rrisë inflacionin dhe mund të detyrojë mbylljen e shumë bizneseve. Ndërkohë, qeveria që pritet të shpallë për të dytën herë gjatë vitit gjendjen e krizës energjetike, thotë se ekzistojnë kapacitetet prodhuese vendore për furnizim me energji elektrike deri në fund të vitit.
Ekspertët e çështjeve të energjisë thonë se kriza energjetike që ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës dhe rajonin, do të ketë ndikime të theksuara tek konsumatorët në Maqedoninë e Veriut. Ata vlerësojnë se qeveria në Shkup duhet të sigurojë prodhimin e brendhshëm të energjisë elektrike, çmimi i të cilës është shumë më i ulët se çmimi i blerjes nga jashtë.
Drejtori i Agjencisë energjetike të Maqedonisë së Veriut, “Resurset Energjetike Nacionale” Bajram Rexhepi tha për Zërin e Amerikës se ndikime negative nga kriza energjetike do të pësonjë në veçanti sektorët e transportit, industrisë dhe prodhimit.
Ai thekson se ky vit mund të përfundojë me një inflacion dyshifror, si pasojë e problemeve energjetike.
“Me siguri se (inflacioni) do të jetë më i lartë se 10%, prandaj qeveria dhe të gjitha institucionet e rëndësishme po bëjnë përpjekje maksimale që të zbusin efektet e kësaj krize. Në njërën anë po punohet me intensitet të lartë që të kemi furnizim të rregullt me energji elektrike dhe me gaz natyror, dhe në anën tjetër që të optimizohet harxhimi dhe konsumi në të gjitha ato institucione ku është e mundur të ulen nivelet minimale”, thekson zoti Rexhepi.
Sipas tij, vendi për momentin nuk ka probleme me furnizimin me gaz dhe aktualisht furnizmi bëhet me rreth 1.1 milion metër kub gaz në ditë dhe pjesa më e madhe shfrytëzohet nga Kombinati për prodhimin e energjisë elektrike TE-TO dhe pjesa tjetër për industrinë.
“Por gjithsesi nuk kemi siguri se nuk do vijmë tek një ndërprerje e menjëhershme nga ana e furnizuesve rajonalë, siç është Gazprom dhe ne po bëjmë përpjekje maksimale që të gjejmë edhe alternativa të tjera të furnizimit. Është jashtëzakonisht shumë e vështirë sidomos në pjesën bullgare pasi që Gazprom i ka rezervuar të gjitha kapacitetet ndërkufitare dhe ne jemi në bisedime intensive që të gjitha këto pengesa të kapërcehen dhe të krijojmë mundësi që edhe furnizuesit tjerë të kenë qasje në furnizimin e tregut”, thotë zoti Rexhepi.
Por, shpallja e krizës energjetike pa dyshim do të çojë në shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe do të krijojë vështirësi jo vetëm tek konsumatorët familjarë por edhe te bizneset. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Drilon Iseni i tha Zërit të Amerikës se kriza energjetike është sfida kryesore me të cilën po përballen bizneset këtu.
“Shpenzimet për energjinë elektrike janë një prej kostove kryesore që bartin bizneset në përgjithësi, mirëpo tani me rritjen e çmimit të rrymës elektrike kjo shifër është duke marrë përmasa të mëdha brengosëse për bizneset dhe vë në rrezik funksionimin e shumë kompanive këtu në Maqedoninë e Veriut, sidomos të atyre prodhuese”, thotë z. Iseni.
Në veçanti rreziku u kanoset kompanive në prodhim, të cilat fitimin e kanë të ulët ndërsa punësojnë një numër të madh njerëzish, thotë zoti Iseni.
“Kosotoja e energjisë elektrike deri para muajit korrik ka qenë dikund deri në 2% të shpenzimeve të përgjithshme operative, ndërsa sot ato paraqesin rreth 7% deri në 10% që është një rritje e madhe. Faturat e firmave janë nga dy deri në pesë herë më të larta”, thotë ai.
Për këtë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veripërëndimore dhe Dhomat tjera Ekonomike në vend po ngrejnë shqetësimet e tyre para qeverisë, të cilës i kërkojnë që masat të jenë më të buta.
Drilon Iseni thotë se shumë biznese të vogla do të detyrohen të mbyllen, madje disa janë në prag të falimentimit. Ai vlerëson se qeveria duhet të heqë tatimin e vlerës së shtuar nga faturat e energjisë elektrike për bizneset dhe të përshpejtojë procedurat administrative për instalimin e paneleve diellore apo fotovoltaikëve në mënyrë që kompanitë të mund ta prodhojnë vetë energjinë elektrike për nevojat e tyre.
“Jo rastësisht si komunitet i biznesit themi se nëse qeveria nuk është në gjendje të bëjë më tepër në këtë fazë është mirë që mjetet e parashikuara për investimet kapitale që arrijnë një vlerë prej 600 milionë eurosh t’i ridrejtojë në sektorët energjetikë që sa më shumë t’i shfrytëzojmë mjetet dhe të krijojmë kapacitete të reja prodhuese”, thotë zoti Iseni.
Ekspertët janë pesimistë në lidhje me mundësinë e një furnizimi pandërprerje me energji elektrike, ndërsa autoritetet thonë se nuk do të ketë ndërprerje të rrymës gjatë dimirit./VOA
Diskutime rreth kësaj post