Një video po qarkullon në rrjete, nga ana e atyre që se honepsin dot Erjon Velinë, apo dhe qeverinë, ku një i cilësuari si ekspert ekonomie pretendon se i nxjerr të palarat kreut të Bashkisë së Tiranës, duke bërë me dije se si ai abuzon, a më saktë vjedh taksat e qytetarëve. E bën këtë në një formë edhe argëtuese, me një shpengim sportiv, duke qenë jo në lokal por në studion e Krastës. Ky i fundit, qartazi i pozicionuar politikisht, e kjo aspak mëkat e tërësisht në të drejtën e tij, po çedon gjithsesi te aspekti profesional, ndonëse në hapësirën e tij e shfaq si kredo nevojën e një gazetarie investigative, duke pretenduar gjithashtu se po promovon e potencon ajkën e gazetarisë që i është vënë me “gurë në trastë” qeverisë prej të pabërave të saj.
Por le të ndalemi te rasti Pano Soko, eksperti pra i ekonomisë, por më së shumti një aktivist gjysëm social e gjysëm politik anti-qeveritar me prezencën e tij në çdo protestë gjithashtu anti-qeveritare.
Ai, në pjesën e përzgjedhur të intervistës për t’u lëshur në rrjete, ofron më së pari disa shifra, duke konkluduar në fund mbi abuzimet e mundshme të Bashkisë, e më pas analizon se si jep-merret një tender, duke ia mveshur këtë praktikave të Bashkisë së Veliajt, a thënë më saktë këtij të fundit.
Pra, zbërthimin e praktikës abuzuese të jep-merr të një tenderi, e ka të adresuar vetëm te Veliaj e jo thjesht si një denoncim klasik për të gjitha praktikën e deritanishme qëkur tenderi doli në skenë, pra nga ‘92 e këtej. Dhe në këtë pikë, ai nuk është se bëri ndonjë zbulim për të mbetur me gojë hapur. Duke u endur në fushën hamendësimit, apo ndryshe të analizë-sintezës, ai përcolli mesazhin spekullativ se kështu vepron vetëm Veliaj, pasi shpjegimet i kufizoi vetëm te personi i tij. Në fund, kur gjithçka u shpall si definitive, qeshi ai e qeshi dhe Krasta, duke u llokoçitur që të dy në një pellg deliri madhështie.
Por pyetja që shtrohet është, e kjo në emër të profesionalitetit gazetaresk: me çfarë referencash fliste e konkludonte eksperti? Cila ishte ajo punë e tij kërkimore apo ai studim me praktika investigative, që ia përligjte gjithëçfarë thoshte, aq më tepër kur fliste me shifra?
Eksperti nuk kishte asnjë dokument me vete dhe, po të dëgjohet më vëmendje në ato çfarë thotë, më tepër prevalon dëshira që Veliaj të jetë i korruptuar, se sa prova bindëse që ai është realisht i korruptuar.
Duhej të ishte Krasta që duhej t’i bënte pyetjen, më normale në raste të tilla për një gazetar profesionist: Ju lutem, me çfarë referencash i mbroni këto pretendime në forma akuzash? Dhe kjo për më tepër kur eksperti nuk ka asnjë oponent në krah apo përballë. Dhe i vetmi që duhej t’ja bëj oponencën, jo për të mbrojtur Veliajn por ABC-në e profesionit, e mbi të gjithë dinjitetin e çdokujt, qoftë dhe të Erjon Veliajt, përballë çdo akuze publike, është Krasta. Mirëpo ky i fundit zgjodhi të qeshë. Po pse qeshi? Si rregull ai duhet të qajë kur del në pah një abuzim, një vjedhje, një e keqe pra e një pushtetari?
Përgjigja gjendet te një qasje psikologjike: kënaqësia jo për daljen e një të vërtete në pah, sado e hidhur, nga kushdo e për këdo qoftë, por te dëshira primare e bisedës për ta nxjerrë me patjetër Veliajn të korruptuar. Ai mund të jetë gjithë ditën e natën i tillë, por jo me këtë mënyrë, jo me këtë metodë, jo me këtë formë. Sepse më e pakta nuk është gazetari, më e shumta nuk është ndershmëri!
E në fund, në emër gazetarisë e ndershmërisë, profesionale apo njerëzore, një pyetje për Krastën: a do e ketë në studio Erjon Velijan në puntatën e ardhshme për t’i dhënë të drejtën e oponencës? /tesheshi.com
Diskutime rreth kësaj post