Ndalimi nga Prishtina i përdorimit të dinarit përplasi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në mbledhjen e posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të kërkuar nga ky i fundit. Pretendimin e Serbisë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës godet serbët që jetojnë në këtë vend, Kurti e quan “mashtrim”.
Albin Kurti: Këto pretendime të rreme të persekutimeve po vijnë nga një vend që është e njohur që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit 20-të. BQK i ka dërguar një letër Bankës Popullore serbe, duke i propozuar një marrëveshje dhe Qeveria jonë është plotësisht e përkushtuar për të siguruar një tranzicion të lehtë.
Ndërsa për Vuçiçin, vendimi i fundit i Prishtinës thellon më tej mjerimin ku i ka zhytur serbët e Kosovës.
Aleksandër Vuçiç: Çdo ndalim i financimit të spitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulm i drejtpërdrejt ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit. Nuk ekziston asnjë bazë për argumentin e Prishtinës që masa për të ndaluar dinarin dhe se futjen e Euros si të vetmen monedhë për pagesë është mundësi për të forcuar të ashtuquajturin shtet ligjor.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB ishte kritike si me Prishtinën ashtu edhe me Beogradin.
Linda Thomas-Greenfield: Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa për zbatimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin se vendimi nuk është marrë në mënyrën e duhur, nuk ka patur konsultime. Kërkojmë që zbatimi i planit të shtyhet derisa të ketë procedura në përputhje me standardet europiane.
Kritika shprehen edhe Britania e madhe dhe Franca.
Diskutime rreth kësaj post