Nga Anri Bala
Nuk u besoja dot syve, në fakt u pataksa, aq sa mu desh të ngrihesha në këmbë, për të parë më mirë nga afër surretërit brenda në parlament, që mbanin pankarta në duar ku shkruhej: “Qeveria e Krimit”. Në fillim u afrova për të parë se kush ishin, nga cili vend vinin?! Dyshova për një moment, për të mos i rënë në qafë të gjithëve kot. Por, sapo i dallova disa prej tyre, menjëherë filluan të më aktivizoheshin gjendrat e pështymës.
Në fakt mu mbush goja plot, sepse i kisha të gjithë aty, përpara ekranit të televizorit, ishin të gjithë aty mbledhur bashkë, disa duke bërë seriozin, si për të treguar se këtë punë e kanë marrë seriozisht, e disa që kishin marrë pamjen e karagjozit, sepse fundja për tu tallur me ne janë aty, përderisa nuk e dinë se pse janë?! Ndërsa grupi i tretë… jo më pak i rëndësishëm, ishin ata, VIP-at, të famshmit brenda dhe jashtë vendit për bëmat e tyre, kriminelët me pankarta, të cilëve nisin tu dridheshin duart, në mënyrë të pavullnetshme, duke u kujtuar se Nëntori erdhi dhe bashkë me të edhe “shërbetorët e vettingut”!
“Fantazma e keqe” me pranga, nuk kishte si të mos u kujtonte edhe pankartën që mbanin përpara, që i ngjante me bar kodin e të dënuarit (një numër mbi një pankartë, i përdorur gjerësisht për të arrestuarit në Amerikë). Ju jap të drejtë, duhet të frikësohen, sepse e dinë mirë, se nuk mund të pastrohen, duke gjetur dhe shpikur “ortak” krimi lartë e poshtë, me lehje e kuisje, e as me letra poshtë derës dhe sipër tavolinës!
Për dijeni nuk i pështyva, pasi më dukej sikur do shfryja mllefin po ta pështyeja gjithësecilin në surrat, një nga një, pa anashkaluar askënd. Mirëpo, kështu do më binte mllefi e inati dhe ndoshta do të zbutesha pak dhe unë s’dua të zbutem aspak! Ama, mu desh ta nxirrja të gjithë atë mllef brenda në lavaman, të shoqëruar me një pasthirmë që vinte thellë prej shpirtit: Pushtat…!
Nuk dua të zbutem aspak, se nuk kam bërë shkollë për “të ruajtur arat”. Nuk dua të zbutem aspak, sepse nuk ma lejon profesioni tu buzëqesh kriminelëve, hajdutëve që grabisin pasurinë… “grabisin” dhe jetë njerëzish. Nuk dua të zbutem aspak, për të gjithë ata të cilët mendojnë dhe shpresojnë duke na marrosur pas fjalimeve, se vrasja, vjedhja, përvetësimi dhe shitja e pasurive kombëtare, nuk na qenkantë dënueshme… por të lavdërueshme. Jam betuar me veten, e më dhëntë Zoti forcë mendore dhe shëndet, nuk do tu qesh kurrë kriminelëve që kanë bërë të qajnë me dhjetëra nëna, e i kanë veshur me të zeza, e sot u qeshin mbi karrige…!
E qeshura e tyre më ngjan si hungërrimë ulkonjash, që duken sikur po kërkojn të shqyejnë dhe bëjnë copash rrobat e zeza të mortit prej fatkeqësisë që u sollën këtyre nënave, me qëllimin e mbrapshtë për t’i veshur me të “bardha” në sy të popullit, se atyre nuk i dhimbset aspak. E qeshura e gjithësecilit prej tyre është një vajtim i nënave. Eshtë tronditëse kur shikon, në një qeveri demokratike, që një parti që është e damkosur nga qytetaria dhe urrejtja popullore, ka përfaqësues në parlament aq sa numri i viktimave të bëra “kurban” nga ajo. Ky grup parlamentar në ato pankarta, ku kishin shkruar emrin e tyre “të paharruar”, duhet të kishin të shkruar edhe emrat e viktimave të tyre, që i bënë të dallohen si grupi i strukturuar kriminal, e që shumë shpejt do të dënohen si të tillë.
Një keqardhje për kryeministrin e “butë” të vendit tim, për mosreagimin. Me dëshirën time dhe të shumë shqiptarëve që e kanë votuar, ai nuk duhej t’i linte të iknin teksa mori fjalën. Nuk duhet ti lejonte të hapnin “mortin” dhe të largoheshin ashtu duke injoruar viktimat, siç kanë bërë deri tani: Të lebetitur në shpirt nga drejtësia… por të falur nga padrejtësia!
“Bir Selmani i nënës…” nuk ka pse t’i qaj, se boll i qau deri më sot… Bir Selman i nënës kë të dënojë më parë duhet tu këndonte, e kështu do t’i shikoje si do të ktheheshin një nga një, e si çakenj do të të afroheshin në foltore të hakërryer, për të të shqyer për së gjalli, edhe pse tashmë atyre u kanë rënë dhëmbët, e nuk janë më ujqër, por veç një kope “kafshësh”, që u ka mbetur instikti i egërsisë, që sulmojnë për të të ngrënë… nga frika.
Ama u solle me gazetarët ashtu siç duhej të silleshe me langarët… tu tregoje vendin. Nuk jam kundra, deri sa ata flasin me mikrofonat e pronarëve, që nuk e dinë çfarë është gazetaria, e që nga magazinier brekësh na janë kthyer në pasunar e dridhen e përdridhen në skenën politike, vetëm sepse ulen hane pinë në dreka e bankete, po me ju… të gjithë ju, pa përjashtim. Nuk jam kundra deri kur ata të mos bëjnë përcjellësin, tu drejtojnë objektivin, tu vënë juve akulloren (mikrofonin) në gojë, edhe jepi fol çfarë të duash, ha cfarë të duash, jashtëqit çfarë të duash./Tellalli.al
Diskutime rreth kësaj post