Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ditën e djeshme ristrukturim në radhët e policisë. Kreu i qeverisë, pasi mblodhi Asamblenë e Partisë Socialiste në teatrin “Petro Marko”, deklaroi se kishte thirrur me urgjencë ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe disa drejtues të Policisë së Shtetit. Rama u shpreh se ristrukturimi që pritej të zhvillohej në shtator do të përshpejtohet dhe sipas tij do të zhvillohet së shpejti.
“Tani do më duhet të largohem sepse kam thirrur me urgjencë ministrin e Brendshëm dhe disa drejtues të policisë, sepse do të lançojmë sa më shpejt fazën e re të ristrukturimit, por që për arsye të mirëkuptueshme të përshpejtohet me disa javë”, – tha Rama.
Në mesazhin e Ramës nënkuptohet se mund të kemi largimin e Ardi Veliut nga radhët e policisë. Po ashtu priten largime në nivele drejtorësh dhe shefa komisariatesh.
Detajet e Asamblesë së PS
Ndërkohë kryeministri Rama gjatë zhvillimit të Asamblesë së PS, duket se ka thelluar akoma dhe më shumë konfliktin me kreun e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Rama u shpreh qartë se për Lelin nuk ka më vend. Sipas tij kreu i Bashkisë së Vlorës duhet të kishte dhënë dorëheqjen, por nuk e bëri këtë, prandaj beteja ndaj tij do të vazhdojë.
“Për Lelin, do vazhdojmë betejën. Për të nuk ka vend, ai vendosi të mos jetë te beteja e radhës, asgjë s’duhet të jetë personale mes këshilltarëve dhe tij, ky është vendim politik. Do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen, nuk pranon në këtë formë, ne do vijojmë betejën”, – u shpreh ai.
Rama tha se Leli nuk pranoi të kandidonte për deputet, duke dezertuar kështu detyrën që iu dha. Kryeministri po ashtu u shpreh se Leli nuk ka dhënë asnjë kontribut gjatë fushatës teksa deklaroi se nuk ka asgjë personale me të. Sipas tij, gjithçka në raport me kreun e Bashkisë Vlorë është institucionale dhe partiake.
“Ne si parti menduam që Leli të kandidonte si deputet, ai dezertoi në këtë betejë. Leli nuk bëri asnjë fushatë për PS dhe dha zero kontribute. Teoritë e konspiracionit për emërimin e Afrimit si kryetar bashkie pas Lelit nuk qëndrojnë dhe nuk kanë për të qëndruar. Afrimin e solla unë në Vlorë të bënte punët publike që nuk bënte Dritan Leli. Nuk kam asgjë personale me të. Këshilli bashkiak të bëjë detyrën për të siguruar llogaridhënien. Gjithçka në raport me Lelin, është institucionale dhe partiake. Ai tha se nuk ka më punë me këtë familje politike”, – tha kryeministri.
Largimet në administratë
Kryeministri po ashtu deklaroi se emërimi i drejtorëve nuk do të bëhet më nga deputetët, por do të mblidhet Partia Socialiste që të vendosë për ta. Rama u shpreh se ka shumë drejtues arrogantë teksa deklaroi se do të ketë rotacion. Sipas tij rotacion do të ketë gjithashtu edhe për drejtorët aktualë.
“Sistemi i emërimeve të drejtorëve nga deputetët ta harroni. Duhet të mblidhet PS që të vendosi, ka shumë drejtues arrogantë dhe paralajmëroj se do të ketë rotacion. Rotacion paralajmëroj edhe në radhët e drejtorëve aktualë”, – deklaroi kreu i qeverisë.
Diskutime rreth kësaj post