Ish-kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu ka ngritur dje alarmin se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë në një pikë tepër kritike, ndërsa ka drejtuar gishtin tek kryeministri kosovar, Albin Kurti, të cilin e bën fajtor për situatën që ndodhen dy vendet sa i takon bashkëpunimit politik, ekonomik dhe diplomatik. Përmes një analize në rrjetet sociale, ish-numri 1 i Partisë Aleanca Kuqezi akuzoi kryeministrin Kurti se po i largohet Shqipërisë dhe po i afrohet Serbisë.
Spahiu i ka bërë edhe një kronologji historisë së Shqipërisë qysh nga mbreti Zog, teksa thotë se në çdo regjim raportet Kosovë-Shqipëri kanë qenë të mira, përveçse sot që në krye të qeverisë kosovare është kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, Kosova ka qenë më pranë Shqipërisë që në kohën e diktatorit Enver Hoxha deri tek ajo e Fatos Nanos.
“Shqipëria dhe Kosova s’kanë qenë kurrë më larg njëra-tjetrës sesa në regjimin e Albin Kurtit. Kosova ka qenë më pranë, në epokën e Mbretit Zog, i cili nuk u quajt Mbret i Shqipërisë, por “Mbret i Shqiptarëve”; Kosova ka qenë më pranë Shqipërisë gjatë qeverisjes së Mustafa Krujës 1941-1943, ku zyrtarisht Kosova iu bashkua Shqipërisë duke u pranuar edhe nga Musolini dhe Hitleri; Kosova ka qenë më pranë Enver Hoxhës, i cili ndonëse nuk bëri asnjë sakrificë për bashkim por çuditërisht ishte idhull për çdo kosovar ku në çdo dasmë këndohej “Enver Hoxha tungjatjeta” apo në stadiume tifozët bërtisnin E-Ho, E-Ho, E-Ho; Kosova ka qenë më pranë në kohën e luftës kur liderët e UÇK dhe FARK u strehuan dhe u furnizuan me armë nga kryeministrat Fatos Nano dhe Pandeli Majko; Kosova ka qenë gjithmonë më pranë Shqipërisë, krahasuar me shtetin aktual i cili ka vendosur të njëjtën distancë si me Serbinë”, shkruan ai.
Por nuk ndalet me kaq, pasi ish-kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu akuzoi kryeministrin Albin Kurti se është injorant, dobësi kjo që sipas tij, shfaqet në çdo tryezë dialogu, ndërsa ngriti alarmin se kryeministri kosovar po i hedh benzinë zjarrit dhe po nxit përçarje me Tiranën e Uashingtonin.
“Paaftësia e kryeministrit Albin Kurti për dialog shfaqet në çdo tryezë. Konflikt me amerikanët; opozitë me Shqipërinë; bojkot tryezës ballkanike; mungesë dialogu me Serbinë”, u shpreh ai.
Po ashtu, ish-kreu i Aleancës Kuqezi shprehet i bindur se me nxitjen e përçarjes që kryeministri Kurti po aplikon me Shqipërinë dhe SHBA-në, do hyjë në histori si qeveria më e keqe që ka pasur Kosova.
“Qeveria Kurti do hyjë në historinë e zezë të Shqipërisë për dy aspekte: E para herë, që një qeveri shqiptare që zyrtarisht voton kundër një marrëveshje amerikane të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë; E para herë, që një qeveri e Prishtinës kërkon rrëzimin e qeverisë së Tiranës. Kurrë në histori Kosova nuk ka tentuar të rrëzojë pushtetin në Shqipëri”, nënvizoi ish-kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu.
Diskutime rreth kësaj post