Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu, ka sulmuar presidentin Ilir Meta. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se presidenti Meta nuk mund të garojë për kryebashkiak të Tiranës. Sipas tij, Meta ka marrë pa garë çdo post në jetë, ndërsa tha se ai tashmë nuk është i sigurt as në Bashkinë e Skraparit.
“Pas 24 vjet humbjesh, pas 12 muajsh përçarje brenda llojit, opozita është e telendisur dhe e rraskapitur nga pështymat e njëri-tjetrit. Prandaj e vetmja kandidaturë është Ilir Meta që të rivalizojë profilin e Erjon Velisë, që padyshim do jetë kryetari i ardhshëm i Partisë Socialiste, pas largimit të Ramës. Por, a ka këllqe dhe guxim Ilir Meta të futet në garë kundër Erjon Velisë? Jo, jo aspak. Ilir Meta ka marrë qyl dhe pa garë çdo post në jetë. Ai tashmë nuk është i sigurt as në Bashkinë e Skraparit. Njëherë kandidoi në fshatin Ndroq dhe humbi, mori vetëm 4.5% të votave. U desh ndërhyrja e Berishës dhe mbushi kutitë, duke lënë jashtë parlamentit Auron Taren dhe duke futur Ilir Metën se nuk kaloi pragun 5%. Ilir Meta s’ka fituar kurrë një betejë me vota, por me llogari”, tha ai.
Spahiu deklaroi se nuk duhet që të presim që Meta të garojë për postin e kryebashkiakut të Tiranës. Ai tha se Mezi pret ta fusë Berisha në listat e koalicionit të përbashkët.
“Prandaj mos prisni të garojë për kryetar Bashkie Tiranë sepse nuk guxon aq lart. Tashmë e ka ulur pazarin. Mezi pret ta fusë Berisha në listat e koalicionit të përbashkët, sepse me listë të veçantë e provoi si u katandis. Tirana është testi i zgjedhjeve të 2025. Kush fiton, mund të bëhet kryeministër i ardhshëm. Ilir Meta nuk merr përsipër kështu rreziqesh. Fitorja të ngre në qiellin e 7 të politikës. Humbja të nxjerr jashtë saj, njësoj siç i faturuan humbjen Besnikut, Spartakut apo Halimit. Koha do provojë sa frikë ka Ilir Meta nga vota e Tiranës. Një politikan që s’ka fituar as fshatin Ndroq, nuk mund fitoj kryeqytetin, prandaj mos e llogarisni fare. Opozita po mendon një kandidaturë që ti faturojnë humbjen dhe dështimin, jo fitoren”, tha ai.
Ndërkohë, ai tha se Meta i ka provuar shumicën e posteve në politike. Spahiu deklaroi se presidenti e ul aq shumë veten, sa nga President shteti shkon edhe kryetar i një partie me 4 deputetë.
“A do kandidojë Ilir Meta për Bashkinë e Tiranës? Sigurisht që jo. Do thoni ju: Meta nuk e ul nivelin, që nga President të shkojë kryetar Bashkie. Në fakt e keni gabim. Ai po e ul aq shumë veten, sa nga President Shteti po shkon kryetar i një partiçke me 4 deputetë dhe do i lutet Berishës ta fusë në listat e 2025 në parlament se ndryshe mbetet pa punë. Ilir Meta ka çdo post në jetë, me përjashtim të kolltukut të kryetarit të Bashkisë, post, i cili ka më shumë se një president që ndan dekorata. Ilir Meta ka vjelur çdo fryt nga politika: President, Kryeministë, Kryetar Kuvendi, Kryetar parti, Zv/kryeministër, Ministër, Deputet. E vetmja gjë që nuk ka provuar është kryetar bashkie. Dyshja Berisha-Meta kanë një sfidë përpara, dhe ato janë zgjedhjet lokale. Fitorja e Shkodrës, Kukësit apo Tropojës nuk konsiderohen fitore dhe as sukses për një parti, e cila 90% të strukturave i ka veriorë”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post