Ish-kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu ka paralajmëruar dorëheqjen e ish-kryeministrit Sali Berisha nga mandati i deputetit. Me anë të një statusi në rrjetin e tij social, dje Spahiu ka rreshtuar një sërë arsyesh se përse pritet që Berisha të marrë këtë vendim.
Ai u shpreh se Berisha do të heqë dorë nga grupi parlamentar, por do të vazhdojë tentativat për të qenë deputet. Sipas tij, kur ish-kryeministri bën presion, duhet lexuar e kundërta e gjërave që ai thotë.
“Unë parashikoj që Sali Berisha do të japë dorëheqje nga grupi parlamentar, por do tentojë të vazhdojë të jetë deputet. Mos u habisni sepse kemi 30 vjet që ja kemi mësuar karakterin. Kur Berisha bën presion, artikulimin e tij përkthejeni ndryshe. Me presion Berisha kërkon koncesion. Prandaj lexoni të kundërtën e atyre ç’ka thotë”, – tha ai.
Spahiu tha se Berisha mund të insistojë deri në fund për të qenë deputet i PD, por më pas do të japë dorëheqjen në mënyrë që të vazhdojë drejtimin e PD në hije. Po ashtu ai u shpreh se dorëheqja e ish-kryeministrit do të shmangte probleme në marrëdhënien e kreut të PD, Lulzim Basha me amerikanët. Sipas tij, Berisha do të dorëhiqet në mënyrë që amerikanët të mos avancojnë në kërkesa të tjera lidhur me të.
“Berisha insiston deri minutën e fundit dukë thënë: “Do jem deputet i PD” por në minutë të fundit do bëjë të kundërtën për disa arsye: dorëhiqet nga Partia Demokratike dhe vazhdon e komandon në hije, dorëhiqet nga PD që të shmangë Bashën nga përplasja me amerikanët, dorëhiqet në minutën e fundit me qëllim që lufta mos të vazhdojë, por edhe amerikanët të mos avancojnë në kërkesa tjera, dorëhiqet minutën e fundit nga grupi parlamentar, por vazhdon të jetë deputet i pavarur, dorëhiqet nga grupi parlamentar dhe e përdor si koncesion për amnisti penale që mos procedohet nga SPAK”, – tha ai.
Spahiu komenton qëndrimin e SHBA ndaj Berishës
Nga ana tjetër, ish-kreu i Aleancës Kuqezi u ndal edhe tek qëndrimet e SHBA sa i përket ndikimit që ish-kryeministri vazhdon të ketë në Partinë Demokratike. Spahiu tha se amerikanët duhet të pastrojnë skenën politike nga një njeri si Berisha dhe ta izolojnë atë nga ndikimi në PD. Sipas tij, nuk dihet ende nëse SHBA do të mjaftohet me dorëheqjen e Berishës apo do ti shkatërrojë rrënjët e tij.
“Nuk ka rëndësi nëse dorëhiqet Berisha apo jo. Në çdo rast Sali Berisha do e komandojë Partinë Demokratike në hije qoftë nga zyra, qoftë nga vila e Gjirit Lalzit. Çështja nuk shtrohet se çfarë do bëjë Sali Berisha, por çfarë do bëjnë amerikanët për të pastruar skenën politike dhe si do e zgjidhin izolimin e Berishës nga PD. A do mjaftohet SHBA vetëm me dorëheqjen e Sali Berishës apo do shkatërrojnë themelet e tij. A janë të përgatitur amerikanët për një skenar dorëheqje të Sali Berishës dhe ku ai sërish ta drejtojë opozitën nga kulla. Ambasadorja duhet të kuptojë, që merimanga Berisha është aq e stërholluar sa mund ta komandojë PD edhe nga qelitë e burgut 313”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post