Deputeti i zgjedhur nga radhët e PD, Kreshnik Çollaku, dje komentoi nismën e Ballkanit të Hapur. Ai u shpreh se kjo nismë ngjan si rikthim i Jugosllavisë së re, duke i dhënë benefitet më shumë Serbisë. Çollaku akuzoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se me këto lëvizje ka krijuar përplasje me Kosovën.
“Dua të them që është një operacion propagandë, një zhurmë që e krijon. Nisma është një rikthim i Jugosllavisë së re, është brilante në favor të interesave të Serbisë. Është mbështetur në mënyrë paradoksale nga Shqipëria, e majta në Maqedoni ka një ndërlidhje të fortë me Serbinë në kohë të ndryshme. Kryeministri Rama ka krijuar përplasje me Kosovën. Ne dje dhe sot kemi qenë dëshmitarë të një spekulimi totalisht të rëndomtë. Kryeministri Rama në mënyrë spekulative mori një citim të zëdhënësit të qeverisë Gjermane, që fliste për një citim kundër Minishengenit, dhe Rama e markoi në favor të tij”, u shpreh ai.
Deputeti po ashtu komentoi edhe deklaratën e BE dhe DASH për mbështetjen e Ballkanit të Hapur, ndaj të cilës u shpreh se nuk mund të kesh Ballkan të Hapur me 3 shtete. Ai tha se minishengeni është një krijesë e Serbisë që po mbështetet nga Rama dhe Zaev. Sipas tij, kjo nismë duket si një tren që ndjek drejtimin e Serbisë dhe dihet se ku të çon.
“BE tha sot se mbështet një bashkëpunim gjithëpërfshirës mes vendeve të Ballkanit, që janë 6. Janë pro një tregu të përbashkët ballkanik, me orientim BE. DASH konfirmoi as më pak dhe as më shumë këtë gjë, kërkojnë përfshirjen e të gjashta vendeve. Nuk mund të kemi një Ballkan ku marrin pjesë vetëm 3 vende. Minishengeni është një krijesë serbe, e mbështetur më pas nga Rama dhe nga Zaev. Një tren që ndjek lokomotivën e Serbisë, dihet se ku na çon, është unioni euro aziatik, në aleanca me Rusinë dhe me Kinën, atëherë pse duhet mbështetur kjo nismë? Tre vende të Ballkanit nuk janë dakord me këtë nismë”, tha Çollaku.
Diskutime rreth kësaj post