Kremtohet 95 vjetori i krijimit të Armës së Artilerisë dhe i Armës së Xhenios
Në dy ceremoni të veçanta janë kremtuar sot 95 vjetori i krijimit të Armës së Artilerisë, e cila është krijuar më 18 janar të vitit 1921, si dhe 95 vjetori i Armës së Xhenios, që mban si datë krijimi 20 janarin e vitit 1921.
Në ambientet e Batalionit të Mbështetjes me Luftim me rastin e këtyre ditëve të veçanta jo vetëm për artiljerët dhe xhenierët, por dhe për gjithë ushtarakët, u zhvillua një ceremoni përkujtimore. Ishin të pranishëm: zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, komandanti i Forcës Toksore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, zv.komandanti i FT, gjeneral brigade Muhamet Buçpapa, komandantët e Forcave, përfaqësues nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Forcës Toksore.
Në këtë ceremoni ishin të ftuar dhe morën pjesë edhe shumë ish-artiljerët dhe ish-xhenierë që kanë sherbyer ndër vitë në këto armë.
Ceremoninë e hapi komandanti i FT, gjeneral brigade Nazmi Cahani, i cili pasi përshëndeti të pranishmit,veçanërisht veteranët e kësaj arme, bëri edhe një rezyme për ecurinë e FA në përgjithësi, si dhe të aseteve te artilerisë dhe xhenios në veçanti.
Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, duke përshëndetur të pranishmit garantoi si brezin e veteranëve, ashtu dhe brezin e ri të artiljerëve dhe xhenierëve, se qeveria shqiptare ka bërë dhe do të bëjë akoma më shumë për modernizimin e ushtrisë, si dhe të artilerisë në veçanti, si një element i rëndësishëm në armatimin e Forcave të Armatosura. Përshëndeti gjithashtu edhe kryetari i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, Thoma Konduri, i cili vite më parë ka kryer detyrën e komandantit të brigadës së artilerisë tokësore.
Të pranishmit ndoqën edhe një demonstrim nga artiljerët dhe xhenierët e Batalionit të Mbështetjes me Luftim, me armatimin dhe teknikën që ata kanë në përdorim. Gjithashtu, po sot në Batalionin e Xhenios u zhvillua një ceremoni me rastin e 95 vjetorit të krijimit të armës së Xhenios, ku ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, komandanti i Komandës Mbështetëse, kolonel Fatmir Loka, komandantët e Forcave, ish-xhenierë që kanë shërbyer ndër vite në këtë armë etj.
Komandanti i Batalionit të Xhenios, kolonel Gaspër Lala, duke i uruar gëzuar 95-vjetorin e krijimit të kësaj arme veçoi momente historike ku njësitë dhe repartet xheniere kanë punuar për ndërtim e riparim të rrugëve, ndërtimin e kanaleve bonifikuese, argjinaturave, hidrovoreve, ujësjellsve, eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore në mbarë vendin etj.
Me kete rast u promovua libri “Historia e Armës së Xhenios në Shqipëri” me bashkautorë tre ish-oficerë xhenierë, Miti Galloshi, Ramiz Feçori dhe Zabit Çuko
Diskutime rreth kësaj post