Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka mbajtur mbledhje mbrëmjen e kësaj të premte për të diskutuar nëse duhet të shtyhen ose jo zgjedhjet e caktuara për t’u mbajtur në katër komunat e veriut të Kosovës.
Në këtë takim është marrë vendim që të mos rekomandohet shtyrja e zgjedhjeve nga KQZ-ja.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin anëtari i Komisionit, Arianit Elshani.
“Takimi është mbajtur. KQZ nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve”, ka thënë shkurt ai.
Në anën tjetër, nga Presidenca të premten kanë thënë për Telegrafin se presidentja Vjosa Osmani është ende në pritje të raportit nga KQZ-ja për të marrë vendim për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore.
“Presidentja Osmani dje e ka shpjeguar procedurën që ndiqet në raste të tilla. Ne jemi në pritje të raportit nga KQZ-ja”, ka thënë këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.
Komunat në veri të Kosovës janë pa kryetar qysh nga fillimi i nëntorit.
Ata dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Bazuar në Ligjin për zgjedhjet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.
Por, mbajtja e këtyre zgjedhjeve u vu në pikëpyetje pas incidenteve të ditëve të fundit në veri. Subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe i ka bojkotuar ato.
Autoritetet thanë se do të marrin vendim rreth tyre pas vlerësimeve të organeve të sigurisë në Kosovë, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kërkuan që të shtyhen deri në stabilizimin e situatës.
Diskutime rreth kësaj post