Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka reaguar lidhur me akuzat që 3 anëtarët e KPK bënë ndaj vëzhguesit ndërkombëtar Theo Jacobs. Përmes një letre pak ditë më parë, tre anëtarët e KPK, u ankuan për fyerje dhe presion nga vëzhguesi Theo Jacobs gjatë seancës dëgjimore, dëshmi kjo e përplasjeve me ndërkombëtarët për çështjen e gjyqtares Elizabeta Imeraj. Në një njoftim të bërë, KPK deklaroi se ka pasur dhe vazhdon të ketë një bashkëpunim të frytshëm me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, duke rrëzuar indirekt akuzat e tre anëtarëve të vet kundër një vëzhguesit ndërkombëtar. Përmes kësaj deklarate, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit synon që të sfumojë raportimet për një tension të mundshëm mes komisionerëve vendas dhe vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Komisioni ka vlerësuar dhe çmuar çdo rekomandim dhe opinion të vëzhguesve ndërkombëtarë, duke e konsideruar të rëndësishëm rolin e tyre kushtetues në garantimin e një procesi rivlerësimi të drejtë dhe të pavarur, në funksion të rikthimit të besimit të publikut te organet e reja të drejtësisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbetet i angazhuar për të ushtruar me paanshmëri, profesionalizëm dhe pavarësi detyrat dhe funksionet e ngarkuara me ligj, për të kryer këtë proces të rëndësishëm dhe historik për vendin”, thuhet në deklaratën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të publikuar në faqen zyrtare.
Kujtojmë se, më 29 korrik, u publikua një letër e prezantuar si “Notë verbale”, ku tre anëtarët e trupës, Olsi Komici, Roland Ilia dhe Suela Zhegu ankoheshin për “fyerje dhe presion” nga ana e vëzhguesit të ONM-së, Theo Jacobs. Sipas letrës, tre anëtarët e trupës pretendojnë se janë ndjerë jo komodë dhe nën presion nga qëndrimi paragjykues dhe fyerjet e vëzhguesit ndërkombëtar të cilin nuk e përmendin me emër.
Diskutime rreth kësaj post