Gani Kovaçi është 83 vjeç. Është mjeshtri më i vjetër i këtij zanati, por siç duket dhe i fundit. Familja e tij e ushtron këtë profesion prej të paktën katër brezash, që siç thotë ai, çfarë mban mend apo çfarë i kanë treguar; stërgjyshi, gjyshi, babai dhe ai vetë.
Këtë profesion, që zanafillën e ka prej kohës kur njerëzimi filloi të punojë tokën me mjete hekur, Ganiu e ka filluar që kur ishte 7 vjeç.
Mësues ka pasur babain e tij, njëjtë si i ati që profesionin e ka mësuar nga paraardhësi.
Ganiu tregon se mjeshtërit korçarë të kovaçanës kanë qenë më të mirët në vend, ka pasur shumë punë aq sa ata e kanë pasur të vështirë ta përballojnë.
“Koçka ka qenë kampione, jo si në qytetet e tjera. Sidomos kovaçi, ka qenë kampione në Korçë.”
Edhe sot që është 83 vjeç, ai ruan të njëjtin regjim pune. Prej mëngjesit e gjen në kovaçanë. Por në ndryshim nga vitet e kaluara, ai është në pritje të ndonjë pune. Me hapjen e tregut dhe ecurisë së teknologjisë, puna e farkëtarit dalëngadalë po hyn në histori. Mbeten të kryejnë vetëm disa punë të thjeshta si veglat bujqëore të dorës apo sëpatat për prerjen e druve.
“Vegla bujqësore kemi, sëpata, kazmë. Më përpara ka pasur edhe plugje, që lëronin tokën me dy kuaj.”
Mungesa e punës, si rrjedhojë dhe e fitimit, ka bërë që ky profesion të shkojë drejt braktisjes. Të parët që e kanë braktisur kanë qenë fëmijët e Ganiut. Ata kanë marrë profesione të tjera më fitimprurës, madje janë larguar që herët nga vendi. Në këtë kovaçanë të trashëguar nga paraardhësit, duket se mjeshtëri i fundit do mbetet Ganiu.
Diskutime rreth kësaj post