“Unë përfitoj nga ky rast për të përsëritur edhe një herë qëndrimin tonë të fortë për këtë çështje. Për Greqinë, nuk ka asnjë “çështje çame”. Prandaj, nuk ka pasur dhe kurrë nuk do të jetë një çështje e tillë për axhendën shqiptare-greke”, thuhet në letrën që ministri i jashtëm grek Kotzias i ka dërguar komisionerit të BE Johannes Hahn pas deklarateve të tij të fundit për njohjen e çështjes çame.
Sipas Kotzias ky qëndrim i Hahn nuk përkon as me funksionin dhe rolin e Komisionit.
Kotzias paralajmëron se “nëse Komisioni do të miratojë argumentet nacionaliste të atyre që këmbëngulin në rivendosjen e një problematike jo-ekzistente, kjo do të përbënte pranimin e një tregimi revizionist të historisë europiane, e cila do të frymëzonte irredentizmin, duke rikthyer në shumë pjesë të kontinentit çështje të zgjidhura në mënyrë të pakthyeshme menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.”
Ministri i Jashtëm i bën thirrje Komisionerit Hahn dhe Komisionit në tërësi të dalë me hapa korrigjuese, “Kjo është veçanërisht e rëndësishme“, që të mos ketë “çdo referencë ngjashme mashtruese në raportin e progresit për Shqipërinë“, pasi kjo do të kishte “pasoja shumë serioze në marrëdhëniet tona“.
Kotzias i kërkon Shqipërisë të sillet si një vend i denjë aspirant për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Shqipëria duhet të mbetet e angazhuar për reformat evropiane. Rrjedhimisht, zbatimi i qëndrueshëm, i integruar dhe i plotë i pesë prioriteteve kyçe është thelbësore për fillimin e negociatave për anëtarësim. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për transformimin e përgjithshëm institucional të vendit dhe kredibilitetin e procesit të zgjerimit “-thuhet në letrën e ministrit të Jashtëm grek.
Diskutime rreth kësaj post