Vepra me koston më të lartë e përzgjedhur si prioritare në fushën e transportit është rruga e Arbrit. Aksi që lidh Tiranën me Dibrën ka një kosto të përllogaritur prej 205 milionë euro dhe aktualisht është e pa buxhetuar.
Lista me 13 projektet e përzgjedhura si prioritare nga Komiteti i Planifikimit Strategjik pasohet nga ndërtimi i rrugës Fushë Krujë-Shkodër, e cila kushton 202.5 milionë euro. Kjo rrugë është pjesë e aksit veri-jug, ose Korridorit Adriatiko-Jonian. Aktualisht ajo është me dy korsi dhe sipas projektit do të zgjerohet edhe me dy korsi të tjera për të përballuar fluksin e trafikut.
Projekti i tretë më i madh është në fushën e hekurudhave. Bëhet fjalë për rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Shkodër-Hani i Hotit, e cila ka një kosto totale prej 175.8 milionë euro.
Hekurudhat janë një nga sektorët më të nënfinancuar në Shqipëri. Por në strategjinë e transportit, nga 13 projekte prioritare, 4 prej tyre i përkasin rrjetit hekurudhor dhe kanë një kosto totale prej 560 milionë euro.
Ato janë ndërtimi i hekurudhave të reja Tiranë-Rinas dhe Korçë-Pogradec-kufiri me Greqinë, si dhe rehabilitimi i dy linjave ekzistuese Durrës-Tiranë dhe Durrës-Pogradec-Lin. Më pas, në listë renditen rruga Thuman-Kashar-Vorë, ajo e lumit të Vlorës dhe by pass-it të Tepelenës, Lezhës dhe Tiranës.
Në total këto vepra kanë një kosto prej 1.6 miliard euro, por nga 13 projekte vetëm gjysma e tyre është pjesë e programit buxhetor afatmesëm, pra në rrugë financimi. Të tjerat mbeten në pritje.
Diskutime rreth kësaj post