Në ditën e dytë të vizitës së tyre në Kosovë, princi Charles dhe dukesha Kamila kanë perjetuar disa momente emocionuese teksa janë takuar në qendër të Prishtinës me familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës.
Ferdane Qerkezi, e cila kurrë nuk i ka gjetur dy djemtë dhe bashkëshkortin e saj, me lotë në sy i ka kërkuar princit zbardhjen e fatit të tyre. Ishin pikërisht rrëfimet e këtyre familjarëve që prekën princin, i cili në një konferencë ndërfetare në Prizren tha se do të dëshironte të bënte më shumë rreth kësaj çështjeje.
Nga Prizreni, Princi Charles përçoi mesazhin e tij për pajtim dhe vendosje të urave të bashkëpunimit mes popujve dhe besimeve fetare në Ballkan.
“Çfarë kam dëgjuar sot këtu dhe në Prishtinë, në shumë mënyra më ka thyer zemrën. Ne kemi një mundësi ideale që të rindërtojmë urat. Duhet ta bëjmë këtë që të sigurohemi se kësaj here do të jenë të qëndrueshme. Hakmarrja nuk është rruga që duhet ta mendoni. Është pajtimi dhe falja, ky është mësimi që mund të merrni nga ky tmerr dhe kjo frikë”, është shprehur princi.
Gjatë ditës së dytë në Kosovë, princi ka vizituar bazën e KFOR-it në Prishtinë, ku ka nderuar të rënët gjatë shërbimit në Kosovë, ndërsa dukesha Kamila është takuar me të mbijetuarat e dhunës seksuale, ku ka dëgjuar sfidat e tyre në kërkim të drejtësisë.
Princi Charles është nderuar nga presidentja Atifete Jahjaga me Urdhërin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”.
Ai zhvilloi edhe takime me shtetas britanikë të angazhuar në Kosovë, mes të cilëve edhe produksionin e filmit britaniko-kosovar “Shok”. Kjo ishte vizita e dyte e trashëgimtarit britanik të fronit në Kosovë.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post