Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, “EULEX” bëri të ditur se, rasti i ngritur këtë të enjte nga një gjykatës ndërkombëtar rreth “Ligjit për Trepçën” ka të bëjë me një rast specifik gjyqësor, që po pret vendim nga ana e gjykatës.
Gjyqtari i “EULEX”-it, Werner Kannenberg i kërkoi sot Gjykatës Kushtetuese, që të shqyrtojë çështjen e detyrimeve të “Trepçës” ndaj kreditorëve dhe pretenduesve të tjerë.
Zëdhënësja e “EULEX”-it, Dragana Nikoliç-Solomon tha për “KALLXO.com” se, ajo që ka bërë gjyqtari ndërkombëtar është një kërkesë dërguar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar më tutje kushtetutshmërinë e “Ligjit për Trepçën”, në pritje të publikimit të aktgjykimit të plotë të vendimit të kësaj jave.
“EULEX dëshiron të sqarojë se, një gjyqtar ndërkombëtar ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarim të mëtejshëm për kushtetutshmërinë e Ligjit të Trepçës, duke pritur publikimin e plotë të aktgjykimit”, tha Nikoliç-Solomon.
Ajo u shpreh se gjyqtari ndërkombëtar kishte vepruar brenda kapaciteteve ligjore të përshkruara nga Kushtetuta e Kosovës.
“EULEX thekson se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti më i lartë juridik, për të vendosur në pyetjet kushtetuese është i palëkundshëm”, shtoi ajo.
Nikoliç-Solomon tha se kërkesa e gjyqtarit ndërkombëtar nuk ka të bëjë fare me kërkesën e “Listës Serbe” për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së “Ligjit për Trepçën”, kërkesë që këtë javë u hodh poshtë si e papranueshme nga Kushtetuesja.
“Ky mocion nuk ka aspak lidhje me kërkesat e mëparshme të ‘Listës Serbe’. Mocioni i gjyqtarit të ‘EULEX’-it është i lidhur me rastin specifik, që po pret vendimin gjyqësor në Dhomën Speciale të Gjykatës Supreme, që i është deleguar gjyqtarit në fjalë”, tha zëdhënësja e EULEX-it.
Diskutime rreth kësaj post