Ekaterina Trendafilova është emëruar kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi për mediet.
“Pas rekomandimit të panelit përzgjedhës të pavarur, autoriteti emërues Alexandra Papadopoulou, shefe e misionit të EULEX-it në Kosovë, emëroi zyrtarisht kryetaren Trendafilova. E lindur në vitin 1953, ajo është juriste, akademike dhe gjykatëse e shquar nga Bullgaria, me përvojë të madhe në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare, të drejtës penale, të drejtës proceduriale penale dhe të të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatë.
Nga marsi i vitit 2006 deri në marsin e vitit 2015, Trendafilova shërbeu si gjykatëse e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN).
Para detyrës si gjykatëse në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ajo punoi si profesoreshë e drejtësisë penale në Universitetin e Sofjes, zëvendësprokurore e qarkut në Gjykatën e Qarkut në Sofje, si dhe shërbeu si këshilltare eksperte për standardet e së drejtës penale dhe të të drejtave të njeriut në Kuvendin, Gjykatën e Lartë dhe disa ministri të Bullgarisë.
Me rastin e emërimit të saj, Trendafilova deklaroi se “ndihet thellësisht e nderuar që u emërua kryetare e parë e Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
“Në këtë moment të rëndësishëm, në fillimin e veprimtarisë së Dhomave të Specializuara, kam privilegjin të kryej detyrën udhëheqëse që m’u besua. Jam e ndërgjegjshme se garantimi i zbatimit prej Dhomave të Specializuara të praktikave gjyqësore më të mira dhe i administrimit të drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, si për ata që ngarkohen me përgjegjësi penale, po ashtu edhe për viktimat e krimeve që pretendohet se janë kryer, përbën përgjegjësi të jashtëzakonshme. Jam e përkushtuar që këtë detyrë ta kryej në mënyrë të pavarur, me vendosmëri, vrull e përkushtim të plotë. Është me rëndësi jetike, që mandatin tonë ta zbatojmë në mënyrë efikase, profesionale dhe të sigurtë”, u shpreh Trendafilova.
Në postin e kryetares së Dhomave të Specializuara, ajo është përgjegjëse për administrimin gjyqësor të Dhomave të Specializuara dhe për funksione të tjera që i akordon ligji. Ajo kryen gjithashtu detyrën e kryegjykatësit të panelit të Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara. Trendafilova është emëruar për një mandat katërvjeçar, i cili hyn në fuqi në janar të vitit 2017.
Diskutime rreth kësaj post