Nëntë deputetë të rinj të Listës Serbe subjektit kryesor të serbëve të Kosovës u betuan të enjten në parlament, duke marrë mandatet e lëna ditë më parë nga bashkëpartiakët e tyre, pas vendimit që punonjësit serbë të largohen nga të gjitha institucionet vendase, për shkak të siç është thënë moszbatimit të marrëveshjeve të Brukselit nga autoritetet në Prishtinë.
Zyrtarë të Listës serbe thanë se vendimi i sotëm ishte strategjik “për të penguar drejtpërdrejt realizimin e planit të Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të për të ndryshuar kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë”.
Lista Serbe akuzoi kryeministrin Albin Kurti dhe politikanen serbe Rada Trajkoviç se siç thuhet, synonin që të votonin ndryshimet kushtetuese për të shfuqizuar të drejtat e pjesëtarëve të komunitetit serb.
“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet në veri të Kosovës… si kundërpërgjigje ndaj shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit, shqetësimit të popullit serb dhe shkeljes së të gjitha të drejtave të njeriut”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe, deputetes e së cilës menjëherë pas betimit, u larguan nga seanca e parlamentit.
Përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës braktisën institucionet e vendit, pasi autoritetet e Kosovës filluan me një nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Vendimi i qeverisë së Kosovës u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për një shtyrje dhjetë muajshe.
Sipas vendimit të qeverisë nga 21 nëntori fillon periudha e gjobitjes së atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave.
Kjo ka ngritur shqetësimin e zyrtarëve evropianë të cilët thonë se situata është në prag të një krize tjetër dhe duhet gjetur një rrugëdalje përmes një qasjeje strukturore.
Diplomatët perëndimorë ngulin këmbë që Kosova të shtyjë afatin për konvertimin e targave të makinave dhe të fillojë diskutimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa punonjësit serbë të kthehen në institucionet që i braktisën më 4 nëntor dhe të krijojnë hapësirë për diskutimin e një propozimi evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane për një marrëveshje mes palëve.
Deputetë të opozitës në parlamentin e Kosovës kritikuan të enjten kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për mungesë të transparencës kundruall dialogut me Serbinë dhe propozimeve të reja të dala nga Bashkimi Evropian për një marrëveshje normalizimi. Por kryeministri hodhi poshtë kritikat.
“Që prej rifillimit të tij ne jemi treguar transparentë ndaj qytetarëve dhe publikut, kemi treguar gatishmërinë për komunikim korrekt me partitë opozitare por edhe kemi treguar kujdes dhe maturi ndaj vet procesit dialogut duke mos e dëmtuar atë dhe as interesat tona”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post