Përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Prishtinë, Natalia Apostolova ka deklaruar para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Integrimin Europian se ndërtimi i mureve, siç është ai në veri të Mitrovicës, nuk është projekt i BE-së.
“Projekt i Bashkimit Europian është vetëm rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër, ndërsa muri që është ndërtuar pak metra më tutje është projekt tjetër”, ka thënë Apostolova. Ajo shtoi se BE-ja nuk dëshiron të shohë mure, por ura komunikimi.
“Bashkimi Europian nuk ka ndërtuar kurrë e as nuk përkrah ndërtimin e mureve. BE-ja ndërton ura. Ajo që ne mund të bëjmë është angazhimi dhe përpjekja në të dy anët, për respektimin e marrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, është shprehur Apostolova.
BE-ja, sipas saj, ka një projekt dhe ai është rivitalizimi i urës së Ibrit.
“Muri nuk është projekti ynë dhe ne nuk mund ta kontrollojmë. Ne jemi duke e shqyrtuar situatën. Negociatat mes dy anëve janë duke vazhduar. Por ne nuk duam të shohim mure”, ka thënë ajo.
Megjithatë, Apostolova ka nënvizuar se Bashkimi Europian nuk mund të gjejë zgjidhje për këtë problem, për shkak se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Lidhur më këtë, ajo është shprehur e bindur se do të gjendet një zgjidhje, duke marrë parasysh se ka të bëjë me një problem mjaft të ndjeshëm politik.
Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, – ka theksuar ajo, – është normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve. Komentet e saj për murin në Mitrovicë u shtruan si përgjigje ndaj kërkesave të deputeteve anëtare të Komisionit për Integrimin Europian, Vjosa Osmani dhe Donika Kadaj Bujupi.
Diskutime rreth kësaj post