Këshilli i Sigurimit i OKB-së në seancën e sotme për Kosovën do të diskutojë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm që përfshin periudhën e zhvillimeve nga 16 tetori i vitit të kaluar deri më 15 janar të këtij viti.
Raporti i Sekretarit Ban ki Moon, megjithëse nuk përfshin zhvillimet nga gjysma e janarit dhe shkurti i këtij viti, është mjaft kritik ndaj partive opozitare duke i akuzuar drejpërdrejtë për dhunë në rrugë dhe në Kuvendin e Kosovës, raporton media në Prishtinë, RTK në korrespondencën nga New York.
“Vazhdimi i përdorimit të dhunës dhe retorika nxitëse nga partitë opozitare, të cilat rezultuan me ndërprerje të punimeve të Kuvendit dhe përshkallëzuan tensionet në rrugët e Kosovës, përbën një shqetësim serioz,” thotë Ban.
Në raportin e tij Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar edhe vendimin, përkatësisht vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese në procesin e krijimit të Asociacionit të komunave serbe si një hap të rëndësishëm për të theksuar se “procedurat e rëna dakord rreth krijimit të Asociacionit nuk po përmbushin afatet e caktuara kohore”.
Kosovën edhe kësaj radhe do ta përfaqësojë ambasadorja në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, një vendim ky i qeverisë së Kosovës që të ulë nivelin e përfaqësimit nga kryeministri apo ministri i Jashtëm në përfaqësimin me ambasador edhe për arsyen e rolit të zbehur të UNMIK-ut në Kosovë.
Kjo është bërë në konsultime me aleatët, na thotë një burim i afërt me qeverinë, ndërsa anëtarët e përhershëm, SHBA dhe Britania e Madhe prej dy viteve kanë kërkuar rrallimin e seancave për Kosovën në dy herë në vit nga çdo tre muaj, siç është tani, një ide që është kundërshtuar nga anëtari tjetër i përhershëm, Rusia.
Mbledhja fillon në orën 3 pasdite sipas kohës në New York dhe mbahet nën presidencën e Venezuelës, e cila e kryeson Këshillin këtë muaj sipas radhës.
Edhe media në Beograd në raportimin nga New York thekson se sonte do mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, në të cilën Serbinë do ta përfaqësojë ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, ndërsa do shqyrtohet raporti tremujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban ki Moon, të cilin, siç pritet do ta prezantojë shefi i UNMIK, Zahir Tanin.
Diskutime rreth kësaj post