Kosova nënshkruan dy marrëveshjet e para zyrtare me komunat e Preshevës dhe Bujanocit
Prishtinë, 8 janar
Për herë të parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Preshevës dhe të Bujanocit për bashkëpunim në fushën e kulturës për një periudhë 3-vjeçare, me qëllim përkrahjen nga ana e MKRS-së të aktiviteteve kulturore që realizohen në kuadër planit të punës të dy komunave.
Memorandumet u nënshkruan sot në kuadër të vizitës së delegacionit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i MKRS-së, në Luginën e Preshevës, i shoqëruar nga zëvendësministri Rexhep Hoti dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Valdet Sadiku.
Ky bashkëpunim në fushën e kulturës mes MKRS-së dhe Komunave të Preshevës e Bujanocit parasheh zotimin e MKRS-së për mbështetje financiare me qëllim, realizimin e aktiviteteve në fushën e teatrit, arteve skenike e muzikore dhe atë të letërsisë e bibliotekarisë. Memorandumi u nënshkrua nga sekretari Veton Firzi dhe kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, përkatësisht kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi.
Në takimin që pati zëvendëskryeministri Shala me kryetarin Mustafa u shpreh se përmes këtij memorandumi MKRS sadopak mundohet të mbështesë dhe ndihmojë jetën kulturore në Preshevë, e cila është një nismë që do të hap rrugën për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen edhe në fusha tjera.
Zëvendëskryeministri u informua nga kryetari Mustafa për problemet që ballafaqohen shqiptarët e Luginës, me theks atë të kulturës dhe edukimit në shqip, si dhe padrejtësitë e diskriminimin që u bëhet atyre nga pushteti qendror, dhe ky memorandum është një nismë që hap rrugën që edhe ministritë tjera të Qeverisë së Kosovës të përkrahin komunat e Luginës së Preshevës në fushat që ato kanë në përgjegjësi. Gjithashtu, në takim u bisedua për aktivitetet konkrete kulturore që do realizohen përmes kësaj përkrahjeje të MKRS-së në Preshevë.
Shala gjithashtu ka vizituar edhe shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica” ku u takua me drejtorin Naser Nuredini, me të cilin diskutoi për aktivitetet që organizohen në këtë institucion kulturore.
Ndërkaq, në vizitën që ka zhvilluar në qytetin e Bujanocit, Shala u takua me kryetarin e komunës, Nagip Arifi me të cilin diskutoi për problemet që ballafaqohen shqiptarët e Luginës, me theks ata ta të Bujanocit. Ai theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi është i mirëpritur pasi nevojat janë të mëdha, sidomos në fushën e librit dhe furnizimin me literaturë shqipe në Luginë. Ai mori përkrahjen e Shalës që furnizimi me libra e literaturë do të hyjë në programin vjetor të MKRS-së menjëherë dhe do të zbatohet këtë vit.
Shala takohet edhe me Musliun, Halimin e Kamberin
Në kuadër të vizitës së sotme në Luginën e Preshevës, zëvendëskryeministri Kujtim Shala u takua edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu dhe deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi e Shaip Kamberi, me të cilët diskutoi për sfidat që ballafaqohen shqiptarët e Luginës dhe thellimin e bashkëpunimit e përkrahjes nga ana e Qeverisë së Kosovës për të avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Diskutime rreth kësaj post