Kosova feston sot 10 vjetorin e Pavarësisë. Festimet janë shtrirë në të gjitha trojet shqiptare, por epiqendra e aktiviteteve dhe festës do të jetë në Prishtinë. Me rastin e 10 vjetorit nga ana e autoriteteve të Kosovës janë parashikuar një sërë aktivitetesh, ku të ftuar janë edhe liderët shqiptar të Shqipërisë, Maqedonisë, e Malit të Zi.
Që në orët e para të mëngjesit për këtë 10 vjetor kanë ardhur urime edhe nga lider botëror. Ndërkaq, në Shqipëri të parët që kanë uruar pavarësinë e Kosovës kanë qenë Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët do të jenë pjesë edhe e festimeve në Prishtinë. Ndërsa nga liderët e huaj, i pari që ka uruar pavarësinë ishte ish-presidenti i SHBA, Bill Klinton, i cili ka një rol të rëndësishëm gjatë viteve të luftës në Kosovë por edhe për pavarësinë.
Ndërkohë, seanca solemne e Kuvendit të Kosovës dhe marshimi i trupave të FSK do të jetë ditën e diel, më 18 shkurt.
Sot dhjetë vite më parë, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët, veç atyre serbë, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke u realizuar dëshira shekullore të shqiptarëve për të fituar pavarësinë. Prej 17 shkurtit të vitit 2008 Ballkanit iu shtua edhe një shtet i ri, Kosova, e cila filloi të njihej menjëherë nga shtetet mike, ku deri më tani ajo është njohur nga 113 shtete në botë.
11 fakte rreth ditës historike
17 shkurti i vitit 2008 kishte qenë një ndër ditët më të ftohta të vitit, mirëpo kjo nuk i kishte ndaluar qytetarët të dalin dhe të festojnë. Me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ju sjellim 11 fakte rreth ditës historike të 17 shkurtit 2008.
1) Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta
2) Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi
3) Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
4) Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.
5) Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.
6) Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesmarrës ë seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.
7) Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë!
8) Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.
9) Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
10) Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Evropën.
11) Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte, kishin qenë edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj.
Diskutime rreth kësaj post