Deputetja shqiptare nga Maqedonia, Ermira Mehmeti, ende nuk është prononcuar për mediat për mungesën e saj në mbledhjen e Asamblesë së Këshillit të Europës, ku u votua rezoluta për Kosovën së bashku me katër amendime të propozuara nga Serbia.
Amendamenti 10 për kalimin e disa kompetencave tek UNMIK-u që rikthen disa nga standardet e para pavarësisë, u rrëzua për vetëm një votë. Në momentin e votimit mungoi zonja Mehmeti ndërsa emri i saj u përmend disa herë në sallë nga drejtuesi i seancës së asamblesë në Strasburg sepse kishte regjistruar emrin për fjalim.
Pas reagimeve të shumta, deputetja shqiptare nga Shkupi në profilin e saj në Facebook, ka postuar disa fotografi, për të dëshmuar angazhimin e saj pro Kosovës në Këshillin e Evropës. Në njërën nga fotografitë, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, falënderon atë për kontributin e dhënë për sa i përket amendamenteve te propozuara dhe te mbrojtura nga delegacioni i Shqipërisë dhe Suedisë.
Duke iu përgjigjur interesit të komentuesve në Facebook për mungesën e saj, deputetja shkruan se në momentin e votimit ishte rrugës për në Shkup. “Rendi i ditës për debatin, për fat të keq, ndryshoi në mëngjes dhe unë e kisha fluturimin pasdite”, shkruan mes të tjerash zonja Mehmeti. Por ky arsyetim nuk e ka bindur njërin nga komentuesit, i cili shkruan se fluturimet duhet të anulohen kur janë në pyetje interesat kombëtare.
Diskutime rreth kësaj post