Eshte konfirmuar ajo qe dihet. Niveli i korrupsionit ne te gjitha aspektet ne Mitrovicen e Veriut eshte galopant. Ai jo vetem nuk kontrollohet dot, por duket se eshte i nevojshem te funksionoje kjo strukture ilegale.
Niveli i lartë i korrupsionit në veri të Kosovës ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë dhe për mungesë të një ligji për mbrojtjen e atyre që tregojnë rastet korruptive dhe personat e përfshirë.
Sikurse në të gjitha komunat e Kosovës aferat korruptive në të cilat përfshihen jo vetëm njerëz publikë, zyrtarë të komunave, të ndërmarrjeve publike, por edhe të organizatave të tjera, madje edhe të atyre të sigurisë dhe të drejtësisë, kanë shënuar rritje edhe në komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Niveli i lartë i korrupsionit ka prekur të gjitha instancat, ndërsa shteti është treguar i pafuqishëm për ta parandaluar këtë fenomen, në veçanti për t’i identifikuar dhe për t’i vënë para drejtësisë të korruptuarit.
Në veri të Kosovës shkaktari kryesor i korrupsionit është mungesa e funksionimit të sistemit të gjyqësisë. Problem i madh është edhe mosekzistimi i një ligji për mbrojtjen e alarmuesve (treguesve) të korrupsionit dhe për këtë arsye nuk ekziston asnjë formë fizike e as juridike për mbrojtjen e atyre njerëzve që tregojnë me gisht rastet korruptive dhe personat e përfshirë në korrupsion. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të bëhet individualisht, por ajo duhet të jetë sistematike dhe me një mobilizim të të gjitha strukturave të shoqërisë.
Ky konstatim ka dalë nga një diskutim që është organizuar në veri të Mitrovicës nga Qendra për Përfaqësim të Kulturës Demokratike, ACDC dhe “Radio Kontakt Plus”, me temë: “Korrupsioni dhe transparenca”. Në diskutim është folur për problemin dhe shkaktarët e korrupsionit në shoqëri, si dhe për perceptimin e transparencës në bashkësi me qëllim të ngritjes së nivelit të vetëdijes në nivelin lokal, respektivisht njoftimin e qytetarëve me të gjitha problemet, shkaktarët e tyre dhe për mekanizmat për zgjidhjen e tyre.
Diskutime rreth kësaj post