Sot qyteti i Korçës ka provuar shijen e dëborës së parë. Prej orëve të para të mëngjesit reshjet e dëborës kanë prekur edhe qytetin, duke e zbardhur tërësisht atë.
Dimri i vonuar do të zgjasë për disa ditë, pasi sinoptikanët kanë parashikuar ulje të ndjeshme të temperaturave, ku ditët në vijim pritet që të shkojnë deri në – 10 gradë celsius.
Edhe fshatrat turistik të Dardhës e Voskopojës janë të mbuluar nga dëbora, ku trashësia e saj shkon deri në 30 cm, e ndërkohë pritet që numri i turistëve të rritet gjatë fundjavës.
Reshjet e dendura të dëborës dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme me energjinë elektrike në disa fshatra të thellë malore, kryesisht në njësitë administrative Vithkuq, Lekas e Mokër. Problemet vijnë edhe për shkak të rrjetit të amortizuar elektrik, ndërkohë që grupe nga OSSHE janë nisur për të bërë të mundur rregullimin e defekteve.
Akset nacionale janë të hapura dhe pa probleme, ndërkohë që policia rrugore apelon për kujdes të shtuar ndaj drejtuesve të mjeteve dhe pajisjen me goma dimërore.
Diskutime rreth kësaj post