Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi ditën e djeshme gjatë një interviste televizive u shpreh se Partia Demokratike duhet të pranojë zgjedhjet edhe nëse nuk është dakord me rezultatin të bëjë ankimimet e duhura. Pëllumbi tha se organizimi i mirë në terren është çelësi i fitores. Sipas tij për arsye të organizimit të mirë të saj dhe se në Kongresin e ardhshëm do të analizohet i gjithë ky rezultat.
“Politikisht duhet të pranosh rezultatin por nuk të pengon askush të bësh ankimimet e duhura. Duhet të çosh prova. U materializua i gjithë ai organizim i mirë. Ne, në PS, besojmë se zgjedhjet fitohen në radhë të parë nga një organizim i mirë në terren. Ne do ta analizojmë rezultatin tonë, si ato ku fituam por edhe aty ku humbëm. Por kemi rezultuar fitues dhe sadopak por duhet edhe të festojmë. Ku më mirë se në një Kongres të PS-së, në 30-vjetorin e themelimit, të mund ta festojmë fitoren e 25 prillit”, tha Pëllumbi.
Ai u shpreh se Partia Socialiste e ka bërë rinovimin e saj gjithmonë pasi përfundojnë zgjedhjet ku sipas tij kjo ndihmon në një qeverisje të mirë të vendit. Pëllumbi po ashtu deklaroi se qeveria e ardhshme do të jetë në mbështetje të gjithë qytetarëve, të atyre që e votuan dhe të atyre që nuk e votuan.
“Ekipi i PS ka bërë rinovimin e saj pas çdo palë zgjedhjesh. Kjo do të na ndihmojë t’i japim Shqipërisë një qeverisje sa më të mirë. Ne do të jemi një qeveri për të gjithë shqiptarët, edhe për ata që na votuan, edhe për ata që nuk na votuan”, tha Pëllumbi.
Partia Socialiste ka nisur punën për mbajtjen e Kongresit Zgjedhor në 12 qershor. Edhe më herët sekretari organizativ i PS, Arben Pëllumbi tregoi se paralelisht me përgatitjet për Kongresin, socialistët kanë nisur edhe analizën brenda strukturave në të gjithë vendin, pas zgjedhjeve të 25 prillit. Fokusi është përqendruar te qarqet ku PS nuk arriti të përmbushte objektivat e prezantuara në nisje të fushatës zgjedhore. Në 12 qershor, PS do të zhvilloj kongresin, i cili do te zgjedh edhe 175 anëtarë të asamblesë nga rreth 320 që janë në total. Prioritet për të qenë anëtarë kanë kandidatët të cilët përmbushën synimet e partisë. Socialistët janë duke e menduar zhvillimin e kongresit fizikisht por kjo do të varet edhe nga situata me pandeminë në vend.
Diskutime rreth kësaj post