Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka zbuluar në një emision televiziv çfarë ndodhi ditën e djeshme brenda SPAK, ku i pranishëm ishte edhe vetë kryedemokrati.
Gjokutaj tha se prokurorët e çështjes i kishin dorëzuar palës mbrojtëse një kopje të vendimit të tyre të komunikimit të akuzës, që sipas tij ishte një material prej 500 faqesh.
Ai tha gjithashtu se SPAK nuk kishte vendosur në dispozicion të tyre disa akte, për të cilat sipas tij, e kishin pranuar edhe vetë një fakt të tillë.
Sipas Gjokutajt, kontakti i Berishës me prokurorët ishte i shkurtër dhe krejt indiferent, pasi sipas tij, edhe vetë seanca ishte e shkurtër.
“Ne mbërritëm në SPAK, ata kishin bërë gati një kopje të vendimit të tyre të komunikimit të akuzës. Ishte një material prej 500 faqesh i cili nuk mund të lexohej e komunikohej aty. Por prokurorët, Kraja e Millonaj, e vunë në dispozicion dhe të drejtat proceduriale në proces, të cilat ne i morëm, firmosëm që morëm dijeni. Këtu mbaroi e gjithë situata.
U mbajt një procesverbal tepër i shkurtër, sepse ne nuk mund të jepnim shpjegime pa u njohur me përmbajtjen e vendimit dhe me një pjesë të akteve të cilat nuk janë vënë ende në dispozicion nga SPAK. Ata e pranuan edhe vetë që nuk na i kanë vënë në dispozicion disa akte. Kështu që ne shprëhëm vullnetin, sigurisht zoti Berisha, i cili nuk kërkonte kohë, por kërkuam kohë ne mbrojtësit që të njiheshim, sepse Berisha është krejt i qartë në lidhje me çështjen, por nga pikëpamja proceduriale ajo është obligimi jonë që të bëjmë ato kundërshtitë dhe të japim shpjegimet lidhur me të.
Këtu mbaroi kontakti i Berishës me prokurorët, ishte krejt indiferent, sepse edhe seanca ishte e shkurtër. Ne presim të na jepet ajo pjesë e akteve, sepse unë mendoj se një vendim i tillë nuk mund të komunikohet nëse ne nuk na janë vënë në dispozicion të gjitha aktet”, tha Gjokutaj.
Diskutime rreth kësaj post