Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “Detyrim paraqitje” për 8 të arrestuarit gjatë konfliktit të ndodhur të dielën te “Kepi i Rodonit” në Durrës, ku i përfshirë ishte dhe ish-deputeti Mark Frroku.
Mësohet se gjykata vendosi “lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve, nëse nuk kanë ndonjë masë tjetër penale apo vendim dënimi penal për ndonjë vepër penale”.
Konflikti ndodhi mes përfaqësuesve të kishës dhe banorëve të zonës në lidhje me një pronë mbi të cilën të dyja palët zotërojnë certifikatë pronësie.
Si përfaqësues të kishës, u arrestuan shtetasit Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri.
Nga pala tjetër u arrestuan shtetasit Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka.
Konflikti mes dy grupeve nisi si përplasje fizike me sende të forta dhe agravoi deri në përdorimin e armës.
Banorët tentuan të ndalonin përfaqësuesit e kishës të rrethonin truallin shumë pranë detit, në një nga zonat më të lakmuara në Durrës.
Kundërpërgjigjja e tyre solli përshkallëzimin e konfliktit.
Në lidhje me ngjarjen u procedua në gjëndje të lirë shtetasi Ndue Sokoli për veprën penale “Moskallzimi i krimit”.
Mark Frroku dhe përfaqësuesit e kishës akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.
Ndërkohë të arrestuarit nga pala tjetër akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”.
Diskutime rreth kësaj post