Qeveria do të liberalizojë edhe më tej ekonominë publike nëpërmjet një vale të re koncesionesh që do të përfshijnë edhe shërbimet. Llogaritë e bëra nga Ministria e Ekonomisë tregojnë se, vlera e këtyre koncesioneve (rreth 70 të tilla) në ekonomi ndër vite do të jetë rreth 375.6 miliardë lekë (3 miliardë dollarë) dhe buxheti i shtetit do të çlirohet nga një faturë shpenzimesh 157 miliardë lekë (1.2 miliardë dollarë), fatura që do të paguhen gjatë viteve të koncesionit nga qytetarët.
Nga pikëpamja e vlerës së shtuar në ekonomi, shifrat janë ambicioze, por ende nuk dihet se rritja në këto përmasa do të vijë nga investimet e koncesionarëve apo nga tarifat që qytetarët sot ia paguajnë shtetit dhe nesër do të duhet t’ia paguajnë disafish koncesionarit.
Format koncesionare të zhvillimit të ekonomisë kanë një histori gati 20-vjeçare. Bilancet anojnë më shumë nga pasojat negative se sa nga përfitimet. Investimet e Huaja Direkte janë nxitur ndjeshëm, por, nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë paguajnë tarifa më të larta ose marrin shërbime më të shtrenjta pikërisht për shkak të koncesioneve. investimet e mëvonshme në këta sektorë janë shuar për shkak të monopoleve që kanë trashëguar koncesionarët. Jo se këto forma investimesh nuk janë efikase, por padituria e qeverive dhe mungesa e vizionit në momentin që u nënshkruan kontrata kanë sjellë pasoja të pallogaritshme më pas mbi konsumatorët dhe ekonominë në tërësi (kujtojmë koncesionin monopol të aeroportit, që dikur dukej një arritje, por sot po e pësojmë për shkak të biletave të shtrenjta).
Ekspertë nga Ministria e Financave pohojnë se, dy dekada ekonomi tregu mjaftojnë për të treguar se shteti ka dështuar për të ofruar disa shërbime dhe për të përmbushur disa detyrime. Rasti i taksave është një prej tyre. Shqipëria ka nivelin më të ulët të mbledhjes së taksave në raport me PBB, në rreth 25%, 10 pikë përqindjeje më pak se mesatarja e rajonit.
Duke hequr dorë nga aftësia për të administruar dhe për të menaxhuar hapësirën publike të shërbimeve, qeveria po u shmanget disa punëve duke ia deleguar privatëve me shpresën që ekonomia do të rritet më shpejt. Po nëse kjo rritje do të bazohet në tarifat më të larta që mund të paguajnë qytetarët dhe grupet e interesit, nga kjo skemë do të përfitojnë vetëm disa dhe do ta pësojnë të gjithë./Monitor
Diskutime rreth kësaj post