Nga Edison Ypi
Komshiu ishte një monstër që t’ja prisje mishin me gërshërë, ta haje copa-copa të gjallë, e kishte pak.
Komshiu ishte një torturë, një vuajtje e pamerituar, një ferr konstant, një fatalitet i mënxyrshëm, prej të cilit nuk shpëtoje dot.
Gjatë beharit, komshiu, gruaja e komshiut, kalamajtë e komshiut, dilnin në shkallë për fresk me kuç e me maç. Ngaqë e dinin se kishe ndoht tu flisje, të zinin rrugën për të detyruar tu kërkoje leje të kaloje. Në dimër, kur nuk dilnin në shkallë, i ngjisje shkallët me kujdes për të evituar ndonjë ballafaqim eventual. Por ishte e kotë. Nuk kishte mënyrë për t’i shpëtuar vigjilencës së komshiut. Në këtë rast, sado në heshtje të hyje apo të dilje, komshiu e hapte derën pikërisht kur ndodheshe përballë derës së tij, dhe me pamje habitore sikur priste një mysafir por fatkeqësisht i doli para surrati yt që po përgjonte pas dere.
Për tu ngjitur në shtëpinë tënde vet’ i dytë, pa u parë nga komshiu, nuk mund të ndodhte.
Pavarsisht se kush trokiste në derën tënde, nëna, motra, vëllai, ndonjë mysafir apo ndonjë mik, i pari që hapte derën nuk ishe ti por koshiu me shkumë rroje në fytyrë, duke u mbllaçitur, duke mbërthyer kopsat e pantallonave a duke mbërthyer rripin e mesit.
I tmerruar nga përfytyrimi se komshiu mund të bënte të njëjtën gjë, ti nuk hyje kurrë në apartamentin e komshiut. Kujdes i kotë. Komshiu gjithmonë e gjente një mënyrë për të hyrë në shtëpinë tënde, qoftë edhe për pak çaste.
Ngaqë komshiu s’kishte asgjë për të fituar, asgjë për të humbur, asgjë për të ndarë, gruaja e komshiut s’kishta asnjë arësye për të mos mbetur vazhdimisht shtatzanë. Kur ndodhte që numuri i kalamajve të komshiut kalonte masën kritike dhe shtatzania e rradhës konsiderohej e tepërt, andej nga muaji i gjashtë a i shtatë i shtatzanisë, komshiu gjente një xherahe për t’ja nxjerrë gruas fetusin me çengela hekuri mes ulurimash. Në ndonjë rast të tillë, ti thoje komshiut se po kryente një vrasje, të vriste.
S’kishte mënyrë për të shpëtuar nga kuriozitetit i komshiut që donte të shihte, të dëgjonte, të dinte, gjithçka.
E vetmja manovër për ta paksuar disi kuriozitetin e komshiut ishte të hiqeshe sikur s’kuptoje, pra të bëje rolin e budallait, të vetshpalleshe i çmendur. Edhepse e vetshpallur dhe e pabesueshme, çmenduria e tjetrit e zbaviste. Megjithatë përmbahej disi ngaqë i frigej ndonjë të keqeje të paparashikueshme që mund t’i vinte prej dikujt i cili, edhepse s’është, preferon të shpallet i çmendur.
Komshiu mbante fshehtas Ramazan, dhe vigjëlonte tjetrin që gjithashtu fshehtas mbante Ramazan. Jo për ta spiunuar. Që ta kishte për kundërgoditje gjatë ndonjë mpleksjeje eventuale të spiunllëkut me Ramazanin nëse tjetri do ta spiunonte për rrethana që nuk vareshin as nga komshiu as nga tjetri.
Vigjilencës së komshiut nuk mund t’i shpëtonte asgjë sado e vogël apo e parëndësishme që ndodhte brenda shtëpisë tënde. Në kushtet e pamundësisë absolute për të jetuar më mirë, për të pasur më tepër, për të ngrënë, për tu veshur e mbathur, kur i mungonin të dhënat e sigurta, imagjinata e komshiut më e papërmbajtur se e Ajnshtajnit kombinohej me aftësinë e tij rrëfyese më të fuqishme se të Tolstoit.
Komshiu ishte trim. Por kur ndodhte që për ndonjë hajdutllëk komshiun e rrihnin në rajonin e policisë, nga jashtë dëgjoheshin qartë britmat e komshiut; Mjaft o polic ta hëngsha eskrementin. Çudia ishte se kjo ndodhte në të njëjtin vend ku komshiu kishte spiunuar dhe do vazhdonte të spiunonte.
Të kishe fatin të kishe komshi dikend që kishte lexuar “Shvejkun” ose “Tre Shokët” dhe të shurdhonte me dromca për të vjellë, nuk ishte e mundur. Në këtë kombinacion komshiu e hidhte aq përpjetë sa nuk ishte ai komshiu yt por ti komshiu i tij.
Vështirë t’i bëje ballë dëshirës së papërmbajtur të komshiut për të bërë ty të ditur hollësira nga jetët e të tjerëve. Të bëje sikur për jetët e të tjerëve nuk ishe i interesuar, komshiut i dukej aq e pabesueshme sikur të refuzoje floririn.
Të tregoje interesim, por të hiqeshe sikur nuk kuptoje, mund të ndodhte që ta besonte për një çast, dhe përjetoje një moment euforik. Por vazhdonte pak. Komshiu vinte menjëherë në vete, dhe çfarë do ndodhte më pas nuk mund ta gjeje dot në asnjë llum kafeje.
Për të krijuar një farë sigurie që komshiu të mos të spiunonte, mund të gjeje ndonjë mënyrë të tërthortë për t’i bërë të ditur komshiut ta vinte pak dorën në zemër, të ishte pak i mëshirshëm. Prekej disi, por e merrte veten shpejt. Sipas komshiut, përderisa ai vetë ishte spiun, nuk mund të mos ishin spiunë dhe gjithë të tjerët. Të nisje ta bindje se e kishte gabim, duhej t’i flisje. Po t’i flisje, flliqsiri aq donte për të të futur në një kallëp me veten.
Erudicioni i komshiut kishte një shtrirje historike për ta pasur zili; Nga gjyshi çoban tek e ardhmja e ndritur kur nën udhëheqjen e partisë klasat do zhdukeshin.
Gjithashtu shtrirje gjeografike marramendëse deri te bomba atomike e Kinës. T’i thoshe komshiut; Ore, Kina bombën atomike e ka, por qindra miliona kinezë e shtyjnë jetën duke ngrënë nga një tas oriz në ditë, ishte një nga mënyrat për t’i thënë burgut hapu.
Komshiu që gjithë kohën ta nxinte jetën ndonjëherë edhe të ndihmonte. Por vetëm kur ndihma nuk të vlente. Për shembull në raste vdekjesh kur me surrat të merakosur demonstronte një mirsjellje dhe një humanizëm të habitshëm.
Komshiu bërtiste; Jam puntor, jam proletar, bota më përket.
Kishte të drejtë komshiu. Ai të cilit bota nuk i përkiste ishte komshiu i komshiut.
Diskutime rreth kësaj post