Nga: Anton Beli
Dita e djeshme përmbushi “profecinë” e Lulzim Bashës për ekzistencën e trekëndëshit të Bermudës. Futja në lojë e Ilir Metës konfirmoi dy prej kateteve që formojnë këtë trekëndësh, të cilët janë pjesë organike, sipas Bashës, e trekëndëshit të Bermudës.
Futja në lojë e Ilir Metës rrëzon hamendësimet e deritanishme, sipas të cilave mendohej se Sali Berisha ishte i vetëm në luftën kundrejt Bashës dhe në rastin konkret përballë SHBA. Përfshirja e Ilir Metës në luftën e brendshme Berisha-Basha konfirmon se, dyshja Meta-Berisha janë në një hall të jashtëzakonshëm që i ka përfshirë në një aleancë luftarake për jetë a vdekje. Halli i përbashkët i tyre e ka emrin SHBA.
Deri pa dalë data e gjyqit në Gjykatën Kushtetuese, Ilir Meta vazhdonte të luante nën rrogoz duke menduar se kishte rregulluar marrëdhëniet me amerikën, ndërkohë që nëpërmjet kulisave po bllokonte plotësimin e kësaj gjykate me vendet vakante. Halli i madh që i ka zënë agravohet më shumë për katetet e Bermudës, në momentin aktual, ku PD është gjithmonë dhë më e pakapshme për Sali Berishën. Tashmë misioni i Sali Berishës duket që po dështon.
PD është de facto larg foltores dhe lëvizja e Berishës po i heq pjesën sektare, duke e bërë një forcë politike të absorbueshme për elektoratin qytetar dhe gri i cili nuk e tret dot gjuhën e dhunës. Në këtë kontekst PD e Bashës pa grupin luftarak të Berishës është duke fituar qytetarinë që i duhet një partie për të ardhur në qeverisje.
Implikimi i Ilir Metës në këtë vorbull konfirmoi dhe njëherë hallin e madh që i ka përfshirë katetet e Bermudës. Pas shkarkimit të Ilir Metës nga Gjykata Kushtetuese, duket qartë se do kemi një familje tjetër që do shpallet non grata, që padyshim do jetë familja e presidentit të shkarkuar.
Ky ciklon që ka përfshirë familjet Berisha-Meta është kthyer në një fenomen atmosferik që po kalon tangent në koshiencën e opinionit publik, i cili prej ditësh e shikon më shumë si një histori rozë sesa në një tragjedi që prek interesat kombëtare.
Lulzim Basha, i cili lëviz sipas regjisë dhe skenareve amerikane, ka zbërthyer konspiracionin e trekëndëshit të Bermudës dhe po zbaton me përpikmëri asgjesimin e tyre politik. Profecia e tij, e përmbushur këto ditë konfirmoi se halli i Likes dhe doktorit, duket se do jenë përditë e më shumë larg halleve të qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk kanë ndonjë ndjenjë dashurie për komshinjtë e Gjirit të Lalzit.
Diskutime rreth kësaj post