Vitet e fundit kanë qenë të vështira për ekonominë dhe pjesën dërrmuese të bizneseve shqiptare.
Por ka një grusht të vogël kompanish, të cilat kanë lulëzuar të ushqyera nga tenderat e qeverisë. Fusha sh.p.k, kompania në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Fusha është shembulli më i qartë i një biznesi të ngritur tërësisht mbi kontratat publike, shkruan SYRI.net.
Të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit tregojnë se në tre vitet e fundit, xhiroja e Fusha sh.p.k është dyfishuar nga 9.5 milionë euro që ishte në vitin 2014, në 19 milionë euro vitin e kaluar.
Të gjitha këto para kanë ardhur nga tenderat publikë, të përfituar kryesisht nga Bashkia e Tiranës, por edhe drejtëpërdrejtë nga Qeveria dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit
Tenderat
Sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimeve Publike, vitin e kaluar Fusha sh.p.k ishte përfituesi i dytë më i madh i tenderave publikë, duke siguruar disa kontrata me një vlerë totale prej 17 milionë euro. Por cilët janë tenderët më të mëdhenj që shteti i dha Fushës vitin e kaluar?
Sipas të dhënave nga APP, kontrata e parë është ajo për rikualifikimin urban të Shehit Skënderbej, faza e II-të. Kjo kontratë u lidh në 10 mars të vitit të kaluar dhe vlera totale e saj ishte 978.8 milionë lekë ose rreth 7.8 milionë euro.
Kontrata e dytë ishte “Shërbimi i Pastrimit të Zonës Tirana IV”, po nga Bashkia e Tiranës me vlerë totale 699 milionë lekë ose 5.5 milionë euro. Ndërsa tenderi i tretë i përfituar nga Fusha sh.p.k vitin e kaluar ishte “Ndertimi Shetitores Mak Albania-Pusi Nr.1 dhe Rehabilitimi i kanalit Kullues KK1, Golem, Kavaje” I dhënë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kjo kontratë kishte një vlerë prej 419 milionë lekësh ose 3.3 milionë euro dhe është nënshkruar në datën 24 maj.
Këto janë vetëm tre tenderat më të mëdhenj, por paralelisht Fusha ka përfituar edhe dhjetëra kontrata më të vogla duke e çuar vlerën e tyre për vitin e kaluar në plot 2.4 miliardë lekë ose rreth 20 milionë euro. Nëse këtyre u bashkohen edhe tenderat e dy viteve të mëparshëm, 2015-2016, atëherë rezulton se vetëm në tre vjet FUSHA sh.p.k ka marrë rreth 50 milionë euro nga kontratat e qeverisë.
Kompania FUSHA sh.p.k u rikthye në vëmendje të publikut, kur në media u publikua projektligji i jashtëzakonshëm për shembjen e Teatrit Kombëtar. Sipas propozimit, kjo kompani merr përsipër të ndërtojë Teatrin e ri me vlerë 30 milionë euro dhe në këmbim do të përfitojë mbi 6 mijë metra tokë publike në zemër të Tiranës.
Por ajo që qeveria e cilëson si një “dhuratë” në fakt është vetëm gjysma e parave që ajo i ka dhënë kompanisë Fusha nga tenderat publikë vetëm në tre vitet e fundit. /SYRI.net
Diskutime rreth kësaj post